TIRANË- Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka mohuar që të ketë pasur njohje me Gilmando Danin, eksponentin e botës së krimit që mbeti i vrarë mesditën e të martës në Rinas. Gonxhja iu përgjigj akuzave të kreut të PD-së Sali Berisha, i cili në deklaratat e tij publike e ka akuzuar ministrin socialist për lidhje të afërta me Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit. Në postimin e tij Gonxhja shkruan se do e padisë Berishën në Gjykatë, ndërsa nuk kursen ironinë me moshën e tij.
Gonxhja: Fake News!! Lajm i Rremë !! Gënjeshtra !! Sot Saliu llomoit se paskam patur “badigard” (truproje) dikë që as e njoh dhe as e kam parë ndonjëherë – dhe që emrin e këtij subjekti e mësoj si shumica e njerëzve nga kronika!
Para 2 ditësh dilja i financuar (me rregull treshi në fushatë) sipas Saliut nga subjekti në fjalë! S’reagova sepse supozova se qe roitje, meqë po pardje ia bëri krah të djathtë Ervin Salijanjit subjektin, mosha, kushedi… U pa puna – do provosh në gjykatë secilin element akuze publike Sali! 81 vjeç, e s’tu zbardh dot kurrë katrani…
Çfarë deklaroi Berisha: Është fakt se Muç Shaljani është financues i fushatës së Ervin Hoxhës, ndërsa Gilmando Dani badigard i Blendi Gonxhes! Në Shqipëri, kufiri mes bandës dhe qeverisë është zhdukur prej kohësh, janë një dhe e njëjta gjë!
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë ka mbetur edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. /ZËRI



