TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha e ka zhvendosur ‘Foltoren’ në Elbasan. Në një takim me qytetarët, nga foltorja e Elbasanit, Berisha komentoi procesin e zhgjedhjes së Avokatit të Popullit në tërësi, ndërsa u ndal në qëndrimin e opozitës duke pranuar gabimin.
Kreu i demokratëve shprehu pendesë dhe pranoi gabimin për dhënien e firmave nga deputetët opozitarë për Avokat të Popullit, kandidatit Endri Shabani. Berisha kërkoi ndjesë nga mbështetësit e opozitës, teksa ironizoi kryeministrin Rama duke e uruar “E gëzoftë Shabanin”.
“Në bëjmë edhe gabime. Gabimi ishte shumë, ajo që ju patë dhe unë e kuptoj që jeni të mërzitur me këto firmat ndaj Shabanit, avokatit të Edi Ramës dhe ju kërkoj ndjesë juve dhe të gjithë shqiptarëve për ato firma që u vunë. Të cilat në të vërtetë u dhanë në një periudhë që u krijua një mbështetje mbështetjeje për kandidatin e pavarur për Tiranën, por ato firma u tërhoqën. Secili që firmosi e tërhoqi firmën, por natyrisht Edi Rama në mënyrë të paskrupull e zgjodhi, e gëzoftë. Nesër i përgjigjet Kryesia, do të marrë vendime për tu angazhuar në betejën vendimtare.”, tha Berisha.
Shabani u zgjodh me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit. Në momentin e votimit të tij ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit edhe kryeministri Rama, i cili mungoi gjatë gjithë pjesës tjetër të seancës. Shabani do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit./ZËRI




