TIRANË-Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në interpelancën e thirrur nga deputetët, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, u përgjigj për projektin “Durana Tech Park”. Minstrja ka sqaruar se pse “Durana” po operon vetëm virtualisht dhe ende nuk ka asnjë godinë fizike të kompanisë. Ibrahimaj sqaroi se modeli i parkut është hibrid pasi kombinon operimin fizik dhe virtual. Faza e parë është ajo online dhe më pas kompanitë mund të operojnë fizikisht.
Më tej Ibrahimaj iu përgjigj akuzave të Shehajt lidhur me bizneset e regjistruara. Shehaj pretendon se Durana Park është krijuar për të favorizuar biznesmenë e kompani me probleme ligjore ose në pronësi të personave të shpallur në kërkim. Lidhur me këtë Ibrahimaj dha një pasqyrë me 80 rezidentë ku 57 janë rezidentë, të tjerë në proces të avancuar. 52 prej tyre kanë kapital të huaj dhe 48 kapital shqiptar.
Ministrja Delina Ibrahimaj: VKM-ja e miratuar dhe kontrata që ministria e inovacionit dhe kulturës lidhi me agjencinë kishte disa faza. Faza e parë është faza virtuale. Vkm-ja parashikon një periudhë 36-mujore ku Durana funksionon si park virtual. Ajo parashikon këtë fazë të parë gjatë 2025, fazën e operimit me strukturë fizike dhe modelin miks të operimit për këdo që zgjedh ta bëjë dhe zbatojë këtë model. Modeli miks do të thotë që përdoruesit mund të operojnë fizikisht brenda dhe virtualisht jashtë parkut, një park hibrid. Janë 80 rezidentë sot, ku 57 prej tyre kanë kontrata të finalizuara dhe janë rezidentë dhe pjesa tjetër është në proces të avancuar. Pra i është miratuar rezidenca, me qëllim të fillojnë të operojnë në Durana. Ndërkohë nga këto 52 subjekte janë me kapital të huaj dhe 48 me kapital shqiptar. Kjo është një përbërje domethënëse, sepse tregon njëkohësisht interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e ndërmarrjes vendase.



