“Duket sikur punon veç ministrja, roja dhe…”, kritikat e Ramës për Ministrinë e Jashtme, Spiropali: Jam plotësisht dakord!


“Duket sikur punon veç ministrja, roja dhe…”, kritikat

edi rama dhe elisa spiropali

TIRANË- Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka rënë dakord me kritikat e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me dikasterin që ajo drejton, ndërsa premtoi një reformim të thellë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, që u zhvillua të premten, kryeministri Rama tha se përveç Televizionit Publik Shqiptar një tjetër dështim i madh i qeverisë është Ministria e Punëve të Jashtme. Sipas tij, duket sikur në këtë dikaster punojnë vetëm 3 veta: ministrja, sekretarja dhe roja.

“Sa i përket ligjit për diplomacinë publike. Ministria e Jashtme është si Televizioni Publik Shqiptar. Është një tjetër dështim i madh i yni. E kam thënë dhe po e them. Nuk është një institucion në funksion të këtyre sfidave sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që e bëmë nuk ishte ligj apo reformë, ishte tualet. Makijazh! Ligji duhet të hapë rrugën për reformë, për të futur ajrin e pastër. Shqipëria ka sot njerëz plot jashtë në diasporë. Diaspora është pjesë e elektoratit të rëndësishme. Gradat janë marrë peng nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit, as televizion nuk është se ata as nuk dalin. Sa herë shkoj në atë ministri, më duket sikur atje është vetëm ministri, sekretarja dhe roja. Vijmë tek diaspora. Është shumë e rëndësishme që në aspektin e diplomacisë, sa i përket parlamentit edhe grupet e miqësisë të angazhohen siç do angazhohet kryetari i Kuvendit dhe të gjithë ata që shkojnë jashtë të përfshihen në kontaktin me shqiptarët. Kontaktin me diasporën do e mbajmë, na duhet një kontakt i vazhdueshëm”, tha ai.

Fjalimi e tij të gjatë, kryeministri e mbylli me fjalët: “Faleminderit për durimin. Dy amanetet e mia janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Televizioni Publik Shqiptar!”.

Në përgjigjen e saj të sotme, Spiropali tha se në këto 100 ditë që ajo drejton Ministrinë e Jashtme, ka parë njerëz që kanë një ekspertizë të jashtëzakonshme, dhe në vazhdim do të duhet t’i jepet më shumë hapësirë meritokracisë dhe promovimit të talenteve të reja.

“Në dukje ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit, respektit që Shqipëria ka krijuar në nivelin ndërkombëtar dhe asaj që u tha mbi nevojën për një reformim të shërbimit të jashtëm, trupës diplomatike dhe MEPJ, me të cilin konstatim unë jam plotësisht dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj MEPJ kam parë njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme, kontribut shumë të madh në shërbimin e jashtëm, ashtu siç kemi bërë edhe një analizë të nevojave për reformim duke nisur nga ligji për shërbimin e jashtëm që kalon në Kuvend më 28 janar që do t’i japë më shumë hapësirë meritokracisë, promovimit të talenteve të reja, hapjes së ministrisë për të rinj apo kontributorë që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe duan të japin shërbim për Shqipërinë.

MEPJ duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie publike, jo vetëm sa i përket reformës dhe ligjit, por edhe të përfaqësimit, diplomacisë publike. Ky rol i ri i Shqipërisë kërkon të ndiqet edhe nga një administratë, trupë diplomatike që mirërregullohet, kalon në një proces meritokratik, në gjykimin tim edhe shpërblehet më mirë, i shërben vendit në kapacitete të reja. Ka shumë hapësirë për këtë përmirësim.

Duke qenë një strukturë që ka trashëguar histori, por edhe që gjatë një tranzicioni të gjatë ka pasur ulje-ngritjet e veta, pse jo, emërime, promovime, mungesë gradimi e vlerësimi për diplomatët në meritë, ka krijuar një ngërç. MEPJ ka kontributin e vet të padiskutuar edhe për rolin e Shqipërisë në botë, por besoj që ka ardhur koha që në këtë rol të ri në diskutimet e negociatat kaq intensive me BE për anëtarësimin e Shqipërisë brenda 2029 dhe mbylljen e negociatave brenda 2027, jemi duke parë një reformim tërësor të ligjit e trupës diplomatike dhe për më shumë prezencë të MEPJ në diskutime të hapura e publike për procesin e integrimit. Plani për 27 vizita në 27 vende anëtare brenda këtyre dy viteve është një projekt shumë ambicioz që kërkon gjithë angazhimin e kësaj trupe që është një shtyllë e funksionimit të shtetit shqiptar dhe duhet të ngrihet në  lartësinë e këtij misioni”, tha Spiropali./ZËRI 

Poll



Source link

Scroll to Top