TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli për vizitën e tij në Paris, ku mori pjesë në koalicionin e Vullnetmirëve për Ukrainën. Në podcastin e tij “Flasim”, Rama zbuloi se në Francë u diskutua në lidhje me një plan paqeje, pas një lufte të përgjakshme, por jo vetëm. Kreu i qeverisë shqiptare zbardhi takimin me Ministrin e Drejtësisë së Francës, teksa u shpreh se kanë biseduar për pjesëmarrjen e ekspertëve francezë në grupin e reflektimit mbi politikën penale në Shqipëri dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal.
Rama theksoi nevojën për një reflektim i madh mbi rëndësinë e adresimit të problematikave të mprehta. Më tej, Rama shtoi se megjithëse Shqipëria ka arritur të krijojë një drejtësi të pavarur falë lidershipit të Partisë Socialiste dhe mbështetjes bipartizane të qytetarëve, ende nuk ekziston një drejtësi plotësisht e paanshme dhe cilësore.
“Gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, tha Rama.



