Klubi i Liverpulit ka konfirmuar mbrëmë se sulmuesi Aleksander Isak, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale pas frakturës që pësoi në këmbë në ndeshjen kundër Totenhemit.

Futbollisti suedez, u dëmtua teksa shënoi golin e avantazhit për skuadrën e tij, pas një ndërhyrje të Van de Ven. U pa menjëherë që ai kishte probleme serioze pasi loja u ndal për disa minuta dhe futbollisti më pas u shoqërua jashtë për t’u zëvendësuar.
Liverpuli bëri të ditur se ai kishte kryer ndërhyrjen kirurgjikale për dëmtimin e dyfishtë në kavilje dhe frakturën e fibulës, kockës së hollë në pjesën e poshtme të këmbës. Nuk bëhet e ditur se sa do të zgjatë rikuperimi i tij, por sipas mediave angleze, një dëmtim i tillë praktikisht ka mbyllur sezonin për sulmuesin.
Kësisoj, Isak është një mungesë e sigurt për Liverpulin, por edhe për Suedinë, e cila është pjesëmarrëse në play-off në mars për të siguruar kualifikimin në Botërorin 2026. Ajo është në një grup me Shqipërinë dhe mund të takohet në finale me kuqezinjtë nëse kalohen përkatësisht Ukraina dhe Polonia në gjysmëfinale.
PANORAMASPORT.AL








