TIRANË- Vijon seanca plenare në Kuvend, ndërsa janë përfshirë në një debat demokrati Saimir Korreshi dhe ministri Toni Goku. Debatit për Lushnjën, i është bashkuar edhe deputeti socialist, Erion Braçe, i cili i është drejtues ligjvënësit demokrat, duke e quajtur ‘nuribehist’.
Nga foltorja e Kuvendit, Braçe i ka kujtuar Korreshit disa nga investimet dhe projektet e realizuara në Lushnjë sa i përket problematikave në këtë qark.
“Sot në Shqipëri ke investime të drejtpërdrejta franceze…Impianti më i madh i prodhimit të energjisë elektrike nga dielli, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ekzaktësisht në kufijtë mes Divjakës, Lushnjës e Fierit”, theksoi Braçe.
Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Francës që është në rendin e ditës, Braçe tha se niveli i marrëdhënieve nuk është vetëm politik, por edhe ekonomik.
“Ju të dy na përfshitë në këtë debat. O Saimir nuk të tha dhe ai është i bindur që t’i s’je euroskeptik. Por që ti je nuribehist je. Nejse mos harro Saimir që Lushnja ka drejtori bujqësie. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për atë rreth, sepse me thënë të drejtën nuk funksionon vetëm Lushnja, por edhe Divjaka. Dhe vërtetë është ajo linja e gjatë nga shtëpia jote deri te kthesa e Çermës, por nga Kthesa e Çermës deri në Divjakë është në rregull Saimir. Kështu që brenda rrethit të Lushnjës je dhe po të duash mund të vish edhe në Divjakë.
Megjithatë që t’i themi gjërat si janë, të katërta këto marrëveshje natyrisht që reflektojnë edhe përmbushje të detyrimeve dhe standardeve nga ana e palës shqiptare dhe pa më të voglin diskutim krijojnë një hapësirë të re edhe financiare, edhe fiskale, edhe konkurruese për të gjithë ata operatorë ekonomikë apo jo. Marrëveshje me Francën reflekton një marrëdhënie që nuk ka qenë kurrë midis Shqipërisë dhe Francës.
Niveli i marrëdhënieve, jo vetëm në aspektin politik, por edhe ekonomik, është i tillë që të shtyn jo vetëm më përpara sa i takon aspektit politik, por edhe ekonomik. Sot në Shqipëri ke investime të drejtpërdrejta franceze. Dhe meqë jemi këtu Saimir, më vjen ta them se impianti më i madh i prodhimit të energjisë elektrike nga dielli, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ekzaktësisht në kufijtë mes Divjakës, Lushnjës e Fierit. Ndërkohë që për tre marrëveshjet e tjera, është e njëjta logjikë, por e shtrirë në territor”, tha mes të tjerash Braçe./ZËRI



