Një atmosferë ndryshe mbulon vigjiljen e derbit të Torinos.
Juventus po përgatitet për sfidën e madhe të sotme kundër Torinos (ora 18:00, Allianz Stadium), por këtë herë pa konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes. Trajneri i ri i bardhezinjve, Luçiano Spaleti, ka vendosur të mos dalë përpara mediave, duke lënë që të flasë vetëm fusha. Një zgjedhje që shënon ndryshim stili dhe sinjalizon përqendrim absolut tek ndeshja.
ASAMBLEJA E AKSIONARËVE, ARSYEJA E MUNGESËS Vendimi për të anuluar konferencën nuk lidhet me motive sportive, por me një arsye organizative. Të premten, më 7 nëntor, Juventusi mbajti Asamblenë e Aksionarëve, një ngjarje kyçe për jetën e klubit. Në rendin e ditës ishin çështje të rëndësishme si miratimi i bilancit financiar dhe emërimet e reja në bordin drejtues. Ky takim, me peshë të madhe për të ardhmen institucionale të shoqërisë, ka zënë të gjithë vëmendjen e klubit, duke e shtyrë Spaletin të flasë vetëm pas ndeshjes.
NJË DEBUTIM I VEÇANTË PËR SPALETIN Për trajnerin toskan, derbi i Torinos përfaqëson “pagëzimin” e tij si drejtues i Juventusit. Është hera e parë që ai përballet me këtë sfidë historike, por përvoja e gjatë e ndihmon të mos ndiejë peshën e emocioneve. Spaletti ka drejtuar më parë në arenat më të nxehta të futbollit italian: derbin e Romës, si trajner i verdhekuqve, dhe derbin e Milanos në krye të Interit. Tani, ai përgatitet të jetojë një tjetër betejë qyteti, me synimin e qartë për të dhënë shenjën e tij që në fillim. “Një derbi nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat,” ka thënë shpesh Spaletti në të kaluarën. “Në këto sfida kuptohet karakteri i një skuadre.” Dhe karakteri është pikërisht ajo që Juventus kërkon të rifitojë pas një periudhe të turbullt.
JUVE NË RINGRITJE PAS KRIZËS Pas tetë ndeshjeve pa fitore, Juventusi duket se ka nisur të marrë frymë sërish. Me Spalettin në stol, bardhezinjtë kanë regjistruar dy fitore radhazi, ndaj Udineses dhe Kremoneses, që kanë sjellë qetësi dhe besim në ambient. Ekipi ka rigjetur intensitetin, ndërsa disa prej lojtarëve që kishin humbur formën po rikthehen protagonistë. Tifozët shpresojnë që ky moment pozitiv të konfirmohet në derbi, ndeshjen që shpesh përcakton gjysmën e sezonit.TORINO PA BARONIN, POR ME MORAL TË LARTË Në anën tjetër, Torino vjen në formë të mirë, por me një mungesë të rëndësishme në pankinë. Trajneri Marko Baroni do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna për shkak të pezullimit që mori në sfidën e fundit kundër Pisës. Megjithatë, skuadra e tij ka treguar stabilitet dhe shpirt gare, elemente që mund ta bëjnë sfidën edhe më të hapur.
NJË DERBI PËR MË SHUMË SE TRE PIKË Në Torino, derbi nuk është thjesht një përballje sportive – është çështje identiteti. Për Juventusin, është testi i parë i madh i epokës Spaleti; për Torinon, mundësia për të treguar krenari përballë rivalit të përjetshëm. Të shtunën në mbrëmje, në “Allianz Stadium”, do të përplasen dy skuadra me objektiva të ndryshme, por me të njëjtën dëshirë për të fituar. Dhe për Spaletin, kjo nuk do të jetë vetëm një ndeshje: do të jetë fillimi i një epoke të re.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL








