TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë lejuar që të hyjnë sot në sallën e Këshillit të Mandateve në Kryesinë e Kuvendit, ku kërkojnë shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Deputetëve iu komunikua nga garda, se dita e sotme ishte një ditë pushimi zyrtar dhe për këtë shkak sallat kanë qenë të mbyllura. Në një reagim për mediat, kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj Kuvendit, ndërsa me ironi theksoi se në një nga sallat që mbyllën mund te jetë fshehur Ergys Agasi.
“Të lejohet hetimi i plotë i pandikuar dhe pacenuar në rastin Balluku dhe të bëjmë gjithcka që kemi ne në dorë. E shikoni se çfarë arrijnë të bëjnë këta, mbyllin Kuvendin. I ka dhënë urdhër gardës që të mos lejojë mediat në zyrën e grupit të PD. Kështu është kur garda drejtohet nga një trafikant armësh, një far Simon Simoni… Mos të duket çudi që në një nga sallat që kanë mbyllur të jetë strehuar Ergys Agasi. Në fillim të javës që vjen do të kërkojmë mbledhjen e radhës. Jemi 24/24 në dispozicion të këtij procesi. Nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin, por për ta luftuar. Ndjej keqardhje që kryetari i Kuvendit thotë që kur të plotësohen kushtet procedurale të zhvillohet mbledhja”, tha ai.
Pesë anëtarët demokratë të këtij këshilli kishin kërkuar zhvillimin e mbledhjes në orën 11:00, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, gjithashtu deputete dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë. Sipas opozitës, kërkesa i ishte drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, por kur deputetët u paraqitën në sallën e Këshillit të Mandateve, ajo ishte e mbyllur.



