KOSOVË- Kryeministri Edi Rama është pritur nga Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të një vizite zyrtare, një ditë para 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Pas takimit mes liderëve në Presidencë, Rama ka marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Ahmet Shala. Libri i kushtohet gjykimit në Hagë për krime lufte kundër ish-krerëve të UÇK-së dhe padrejtësive që thotë se ata janë përballur gjatë procesit 5-vjeçar.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Prokuroria nuk provoi asgjë kundër UÇK. Kreu i qeverisë shqiptare reagoi ashpër duke e quajtuar ‘prokurori idiotësh’, që sipas tij, janë kthyer në instrumente politikë edhe më shumë se prokuroritë e Serbisë. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, drejtësia ndërkombëtare po e ndjek këtë katastrofë në heshtje, ndërsa 4 krerët e UÇK rrezikojnë të dënohen.
“Është prokurori idiote. Ata nuk janë vetëm idiotë, por instrumente edhe më politike se gjykatat në Serbi, në raport me Kosovën. Me ligjet e kohës, nëse i referohemi, kur ka ndodhur lufta, nëse UÇK nuk do ta fitonte luftën dhe populli nuk do të çlirohej, në gjykatat e asaj Serbie nuk do të gjykojë kush. 45 vite, varrosje për së gjalli e njerëzve. Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtetet demokratike që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin këtë katastrofë për Europën dhe botën demokratike, për 4 njerëz krejtësisht të pafajshëm. Kjo bën fatkeqësisht që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë! Nuk e kam përgjigjen për këtë.”, tha ai.
Sipas axhendës, kryeministri shqiptar prite të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ndërtesën e Qeverisë. Kjo vizitë e kryeministrit Rama vjen një ditë para Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe ka për qëllim të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve. Nesër, 17 shkurt, Kosova feston Pavarësinë./ZËRI



