Ousman Dembele është konfirmuar si lojtari më i mirë i vitit 2025 edhe nga FIFA pasi ka triumfuar në garën e çmimit “The Best” që organizohet nga kjo e fundit.

Sulmuesi i PSG-së, fitues i “Topit të Artë” në këtë edicion, është përsëritur edhe në këtë trofe tjetër, duke mundur Lamin Jamal dhe Kilian Mbape, falë sukseseve të jashtëzakonshme që regjistroi në këtë vit me PSG-në, ku Liga e Kampioneve padyshim ishte kulmi për të.
Ndryshe nga votimi i “Topit të Artë”, ai i “The Best” bëhet me votat e kapitenëve dhe trajnerëve të ekipeve kombëtare, të cilët bënë përzgjedhjen e tyre mes kandidatëve.
Në të njëjtën ceremoni u bë publik edhe formacioni ideal i vitit me një dominim të dukshëm të PSG-së në përzgjedhje si më poshtë:
Donaruma, Hakimi, Paço, Van Dajk, Nuno Mendesh, Palmer, Bellingam, Vitinja, Pedri, Lamin Jamal, Dembele.
Xhanluixhi Donaruma u shpall portieri më i mirë i vitit gjatë kësaj ceremonie, ashtu si edhe Luis Enrike fitoi çmimin e trajnerit më të mirë.
PANORAMASPORT.AL








