VLORË-Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës këtë të premte palët nuk ranë dakort për rendin e ditës, ku pas tensioneve dhe debateve takimi u anulua.
Sipas këshilltarëve të opozitës, rendi i ditës kishte shumë çështje për diskutim, 21 pika të përcaktuara. Kjo gjë, bëri që të nisnin diskutimet në sallë sa i përket fluksit të lartë të çështjeve të rëndësishme për diskutim në mbledhjen e sotme.
Elpiniqi Merkuri, kryetare e Këshillit Bashkiak të Vlorës, pas diskutimeve mes këshilltarëve e kaloi rendin e ditës në votim. Prej procesit të votimit u numëruan 25 vota pro për rendin e ditës, çka bëri që ky rend dite të mos kalojë, duke u “djegur” për një votë. Sipas legjislacionit në fuqi, që një rend dite të kalojë duhet të ketë të paktën 50%+1 votë të numrit të anëtarëve të Këshillit Bashkiak, më konkretisht 26 vota në total.
Gjatë seancës, u shfaqën edhe tensione të tjera me qytetarë që kërkonin sqarime. Eklarina Hoxha, përfaqësuese e pronarëve të ligjshëm në qytet, ngriti shqetësimin për zvarritjen prej dekadash të proceseve gjyqësore dhe pretendoi se ndërtime po kryheshin në tokat e saj, pavarësisht se çështjet vijojnë në gjykatë.
“Gënjejnë, rraskapitem rrugëve. Populli të marrë pjesë në seanca, pse i bëni fshehur. Bëjini publike, janë prona po i vidhni vetë ju. Kam 30 vjet pres gjykata. Marrim pjesë në mbledhje, ne shikohemi si kriminele. Unë kam të drejtë të marr informacion. Të dimë se çfarë bëhet,” deklaroi Hoxha, duke kërkuar më shumë transparencë dhe hapje të mbledhjeve për qytetarët.
Mes pikave për miratim e diskutim është projketvendimi “Për krijimin e shoqërisë bashkiake ”Vlora Invest” SHPK ,në pronësi 100% të “Bashkisë Vlorë”.
Ndër të tjera është projketvendimi “Për miratimin e hartës së përgjithshme të plazheve të lejuara në territorin e bashkiszë Vlorë për vitin 2026 dhe tarifës së ofrimit të shërbimit për zonën e plazheve të administruara dhe të tarifuara nga njësia e vetqeverisjes vendore dhe projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB , për buxhetin e bashkisë për vitin 2026”.
Nesër në orën 9 të mëngjesit është vendosur që të mblidhet sërish Këshilli Bashkiak për të votuar kalimin e ndihmës ekonomike.



