TIRANË- Dashnor Sula është prezantuar zyrtarisht në detyrën e re si Kryeinspektor i Përgjithshëm, gjatë një ceremonie ku ishte e pranishme edhe ministrja Delina Ibrahimaj. Në fjalën e parë pas marrjes zyrtarisht ë detyrës, ish-demokrati Sula e cilësoi ceremoninë si moment si të veçantë, teksa falenderoi stafin për pjesëmarrjen, duke theksuar se i konsideron të gjithë kolegë pa dallime pozicionesh.
“Për mua është një moment i veçantë. Ndodhem për herë të parë në këtë situatë. Por, nga i pari tek i fundit, dua t’i falenderoj për këtë pjesëmarrje dhe në kuptimin e plotë të fjalës, i konsideroj kolegë pa asnjë lloj hezitimi, ku jam unë pozicioni dhe ku jeni ju. Unë mendoj dhe gjykoj se çdo person që kryen një funksion ka një detyrë për të përmbushur në bazë të ligjit dhe do të jetë në raport të drejtpërdrejtë me mua”, tha Sula.
Sula falenderoi dhe vlerësoi po ashtu edhe paraardhësin e tij, Shkëlqim Hajdari. Nga ana e tij, Sula, tashmë Kryeinspektori i Përgjithshëm, premtoi angazhim dhe përkushtim maksimal. Ai u ndal edhe te raportet me drejtuesit politikë, përfshirë ministren dhe kryeministrin, teksa theksoi se pavarësisht përballjeve politike të së shkuarës, Sula tha se nuk e kanë parë asnjë herë njëri-tjetrin si armiq.
“Përkushtimi do jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit deri te ora që mbyllet dhe unë ju garantoj se do jem 24 orë për cdo problem që do ketë dikush për të informuar apo për të dhëna që duhet kontakt. Padiskutim edhe me ministren dhe kryeministrin. Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo detyrë nuk është privilegj, por një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ për të përmbushur këtë mision”, deklaroi Sula.
Ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula është emëruar Kryeinspektor i Përgjithshëm, me vendim të Këshillit të Ministrave në mbledhjet e 6 shkurtit. Ish-deputeti ka pasuar në këtë detyrë Shkëlqim Hajdarin, i cili është emëruar prefekt i Tiranës.
Kujtojmë se në janar të këtij viti në media qarkulloi lajmi se ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula do ta zëvendësonte në këtë post Shkëlqim Hajdarin, i cili dha dorëheqjen. Por, Sula asakohe i përgënjeshtroi lajmet dhe mohoi që të ketë pasur çdo lloj diskutimi apo propozimi për këtë detyrë./ZËRI




