Cili do të jetë fati i zgjedhjeve në kryeqytet? Në pritje të vendimit të Kushtetueses për Veliajn, ja cilët janë skenarët…


Cili do të jetë fati i zgjedhjeve në kryeqytet? Në pritje

erion veliaj

TIRANË- E ardhmja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës mbetet pezull dhe tashmë është në dorën e Gjykatës Kushtetuese. Do jetë kjo e fundit, ajo që do të vendosë nëse Tirana do të drejtohet nga një kryebashkiak, Erion Veliaj, që do të udhëheqë nga burgu, apo do të lejojë që drejtimi i kryeqytetit të caktohet nga gara mes 3 kandidatëve: Ogerta Manastirliut, Florian Binajt dhe Arlind Qorit.

Një seancë maratonë, që zgjati për rreth 7 orë në Gjykatën Kushtetuese, nuk ‘mjaftoi’ për të marrë vendimin. Në seancën, ku u shqyrtua ankimimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe kërkesa për  shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj, kryebashkiaku i arrestuar u ballafaqua me qeverinë dhe me presidencën. Ndërkohë, Kushtetuesja u tërhoq për vendim, duke mos dhënë detaje për datën apo orën, për seancën e ardhshme. Sipas ligjit, Kushtetuesja duhet të shpallë vendimin e arsyetuar brenda 30 ditëve.

Por, cilat janë mundësinë që ka në tavolinë Gjykata Kushtetuese?

Tre janë skenarët:

1. Rrëzimi i kërkesës së Erion Veliajt, çka do të hapte rrugën për zgjedhje të pjesshme në Tiranë;
2. Pranimi i plotë i kërkesës, që do ta rikthente Veliajn në detyrë dhe do të anulonte zgjedhjet;
3. Pranimi i pjesshëm, por opsioni i tretë, është gati i pamundur, pasi dy kërkesat e Veliajt janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Çfarë ndodh nëse pranohet pretendimi i Veliajt? Nëse pranohet plotësisht pretendimi i kryetarit të shkarkuar, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet do të anulohen. Nga ana tjetër, nëse gjyqtarët vendosin me shumicë votash apo njëzëri të rrëzojnë kërkesën e Erion Veliajt, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme, edhe pse jo në 9 nëntor siç presidenti Begaj. Juristi i tij deklaroi gjatë seancës se kompetenca e presidencës është ezauruar për një datë të re zgjedhjesh. Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në gjykimin e tyre edhe për kohën kur do të votohet në kryeqytet.

“Në rast se ju rrëzoni kërkesën duhet të merrni masat që zgjedhjet në Tiranë të zhvillohen pas hyrjes në fuqi të vendimit tuaj që kodi zgjedhor përcakton afatin 30 ditë minimumi deri në 45 ditë për të vendosur datën e re të zgjedhjeve.”, u shpreh Ilir Rusmaili.

Sipas argumentit të Rusmailit, nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve, afati më i afërt shihet në dhjetor, ndërsa më i largëti në mes të janarit 2026. Megjithatë, për momentin, pritet të vendoset nëse Tiranë do të shkojë apo jo në zgjedhje të parakohshme…apo do të drejtohet sërish nga Erion Veliaj.

Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Me firmën e presidentit Bajram Begaj më 1 tetor u vendos që zgjedhjet e pjesshme vendore të mbahen më 9 nëntor. Por kryebashkiaku i shkarkuar, Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetutese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Vetë Kushtetuta sakëson se kur vendimi për shkarkim ankimohet në Gjykatën Kushtetutese, vendimi për shkarkim pezullohet. 

Rreth një javë më vonë, ‘situata’ u kthye përmbys me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Në arsyetimin e vendimit, Kushtetuesja shpjegoi se nëse dekreti i Begajt për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë do të qëndronte në fuqi, do të sillte pasoja të pariparueshme në adresë të Erion Veliajt, teksa vendimi për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top