TIRANË-Sot është zhvilluar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fokus të diskutimeve ishte protesta e 22 dhjetorit dhe rrëzimi i Edi Ramës nga qeveria dhe pastrimin e partisë së tij. Të pranishëm ishin gjithë opozitarët mes tyre dhe Ilir Alimehmeti, i cili është parë krah ish-deputetit Ervin Salianji në takimet e zhvilluara nga ky i fundit.
Brenda mbledhjes ka patuar edhe debate dhe tensione, ku anëtari i Kryesisë së PD, Dritan Burgia u largua nga salla. Burgia është një ndër organizatorët e takimit të parë që ndërmori Ervin Salianji në Durrës, për riorganizimin dhe rienergjezimin e partisë. Ai u largua pasi u ndaluan diskutimet në këtë forum të lartë të PD, përvecse për protestat.
“Ne vijmë të flasim në forume, ju thoni nuk lejohet të flasim për asgjë veç protestës”, është shprehur anëtari i kryesisë së PD.
Ndërkohë në fjalën e tij, kreu i PD Sali Berisha kërkoi angazhim në takime intensive me qytetarët dhe se agjenda e demokratëve do të jetë vetëm protesta, brenda dhe jashtë vendit. Berisha foli mbi strategjinë e partisë për të ndërtuar një platformë antidiktatoriale dhe për të përballuar regjimin aktual.
Sali Berisha: Agjenda jonë do të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë. Në të gjitha format. Kudo, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Degët tona kudo që janë do të angazhohen në protesta të fuqishme kundër këtij regjimi. Pranë organizatave ndërkombëtare protesta të fuqishme. Edi Rama i ka kohërat e numëruara. Kjo qeveri nuk u reziston kurrë 3 apo 5 mijë burrave, grave, djemve që vendosin të zënë sheshin para kryeministrisë dhe të mos e lëshojnë atë derisa të ikë. Ju ftoj përsëri që secili prej nesh të zhvendoset në orbitë të re. Tani kemi qartësi që të ndërtojmë platformë antidiktatoriale, pasi karakteri represiv i regjimit, shëndërrimi i zgjedhjeve në farsë është tashmë e konfirmuar ndërkombëtarisht. Diktaturat autokratike mund të zgjasin shumë vite. Me votë ato nuk ikin. Platforma jonë bazohet tek ata njerëz që guxojnë. Tani është koha e përqendrimit total e provës me këtë regjim. Degët duhet të rezistojnë. A i kemi thënë ne armikut armik? Jo në masën e duhur. Ne nuk bojkotojmë Parlamentin. Asgjë se zvendëson protestën.
Në fund të mbledhjes u vendos që ndryshe nga herët e tjera të ngrihen disa grupe pune që do të merren me mobilizimin e strukturave dhe qytetarëve për protestën e së hënës.



