TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin dhe degjesën publike për Projekbuxhetin 2026 për Tiranën. Rama deklaroi se gjatë këtij mandati do të angazhojnë 1.7 miliardë euro për pensionistët, ku përveç bonusit do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve. Kreu i qeverisë u shpreh se në zonat urbane vlera mesatare e pensionit do të shkojë 400 euro, ndërsa në zonat rurale, 180 euro.
Edi Rama: Ne kemi vendosur, angazhuar në dispozicion të pensionistëve 1.7 miliardë euro plus që do të disbursohen gjatë mandatit tonë të katërt, duke filluar nga janari i vitit që vjen, dhe çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm. Çfarë do të marrin pensionistët në 2026, do të dyfishohet në 2027, do trefishohet në 2028, do katërfishohet në 2029 dhe do të pesëfishohet në 2030-ën. Do të arrijmë objektivin që pensionin mesatar të plotë në zonat urbane ta kemi 400 euro, dhe pensionin minimal në zonën rurale ta kemi 180 euro.
Ndër të tjera, Rama tha se për herë të parë është caktuar fond për të përballuar nevojat për barnat te Onkologjiku, ku njoftoi se ka nisur puna për ngritjen e Instituti Kombëtar për Tumoret. Rama foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara me Italinë pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive. Kryeministri tha se me këtë marrëveshje i hapet rrugë edhe partneritetit mes QSUT dhe spitalit ‘San Raffaelo’ të Milanos.
Edi Rama:Do ngremë Institucion Kombëtar të Tumoreve, siç e kanë shumë vende të Europës. Kemi nisur punën edhe për këtë. Ishim në Itali, kemi firmosur një sërë marrëveshjes shumë të rëndësishme, dhe një nga pikat që kemi në marrëveshjen kuadër që firmosa me Melonin, është bashkëpunim strategjik edhe në funksion të shëndetit dhe kjo pikë e i hap rrugë edhe partneritetit strategjik që kemi lançuar përpara dhe që u përfol si shfaqje fushate, për të sjellë në QSUT si partner që do marrë pjesë në procesin e administrimit dhe shkëmbimit të dijes dhe në procesin e vizitave të punës së mjekeve, spitalin ‘San Raffaelo’ të Milanos që është një nga ekselencat e shëndetësisë evropiane.
Projektbuxheti i vitit 2026 është programuar në vlerën 8.8 miliardë lekë, rreth 1 miliard euro më shumë se në 2025. Nga kjo shifër 100 milionë euro do të shkojnë për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e medikamenteve./ZËRI



