TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur për buxhetin 2026 në podcastin e tij “Flasim”. Në fjalën e tij ai ka theksuar se pensionet, pagat dhe investimet publike do të njohin një rritje historike gjatë vitit të ardhshëm. Rama tha se dëgjesat publike të kësaj jave kanë shërbyer për t’i prezantuar qytetarëve në detaje projektbuxhetin e ri.
Kryeministri vendosi theksin tek të ardhurat, të cilat sipas tij përfshin jo vetëm pagat dhe pensionet, por edhe investimet publike, të cilat vitin e ardhshëm pritet të shënojnë një tjetër rekord. Ai u ndal edhe te mbështetja sociale, duke theksuar se ndihma për pensionistët dhe kategoritë më në nevojë do të vijojë të rritet.
“Edhe gjatë kësaj jave, kemi qenë në dispozicion të qytetarëve, me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit që është në prag, një vit, që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët sa i përket të ardhurave në radhë të parë, në paga e pensione, por edhe sa i përket investimeve publike, që do të shënojnë përsëri, të gjitha këto së bashku, një rritje historike. Tanimë, Shqipëria është në një nivel tjetër. Ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të atyre që jetojnë me punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, në jetën e përditshme të pensionistëve, gjyshërve dhe gjysheve tona, në jetën e përditshme të atyre më në nevojë, për të cilët mbështetja, mbrojtja sociale, vjen duke u rritur.”- tha Rama.
Prej disa javësh Rama ka nisur takime në njësitë e Tiranës së bashku me Ogerta Manastrilun e cila aktualisht është drejtuesja politike e qarkut Tiranë. Në takimet e zhvilluara me qytetarët fokusi ka qenë tek buxheti, kryesisht tek pagat, pensionet dhe ndihmat sociale për familjet në nevojë./ZËRI



