Buxheti 2026/ Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkesë SPAK: Lejoni Veliaj të marrë pjesë në mbledhje!


Buxheti 2026/ Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkesë SPAK:

erion veliaj-kerkesa e keshillit bashkiak

TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për kryebashkiakun Erion Veliaj. Socialistët kërkojnë që kryebashkiaku Veliaj të marrë pjesë në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026 për qytetarët.

Në kërkesën e Këshillit Bashkiak theksohet se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj. Sipas kërkesës, prania e kryebashkiakut është e detyrueshme për të garantuar bashkëpunimin me këshillin për çështje me interes publik, të lejohet të paktën në një nga datat nga 16 deri në 18 dhjetor 2025. Sipas kërkesës,

Kërkesa e plotë:

Lënda: Kërkesë për mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në konsultimin për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026

STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt  institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, referuar kërkesës së tij nr.42497 prot., datë 15.12.2025, për të marrë pjesë në konsultimin e PBA 2026-2028 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026.

Sipas Ligjit nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, konkretisht:

– Neni 58 pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.

– Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak, për çështje të interesit publik.

Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, referuar ligjit nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku neni 41, parashikon se “Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”, ju kërkojmë që nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat nga 16 deri në 18 dhjetor 2025.

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për cdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.

Me respekt,

Këshilltarët

Kërkesa e Këshillit Bashkiak vjen pas asaj të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkoi prej tyre që të merrej në konsideratë mendimi i tij mbi projketbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026. Në kërkesën e kryebashkiakut, Veliaj theksonte se , mungesa e konsultimin me kryetarin e zgjedhur ‘do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore’. 

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top