Kombëtarja shqiptare e futbollit mund të jetë potencialisht pjesë e Grupit F në Botërorin 2026, ku goglat e vunë përballë Holandës, Japonisë dhe Tunizisë nëse ia del të kalojë play-off kontinental. FIFA nuk ka caktuar ende përfundimisht oraret e ndeshjeve dhe stadiumet ku do të luhen, por që tani njihen pjesërisht disa informacione rreth atyre sfidave.

Ndeshjet e para të këtij grupi, Holandë-Japoni dhe potencialisht Shqipëri-Tunizi, luhen më datë 14 qershor. Ndeshjet e dyta, Holandë-Shqipëri dhe Tunizi-Japoni, luhen më datë 20 qershor. Ndërsa ndeshjet e treta, Tunizi-Holandë dhe Japoni-Shqipëri, luhen më datë 25 qershor.
Dy ndeshjet e para të këtij grupi do të ndahen mes stadiumeve të Teksasit e Hjustonit në SHBA si dhe stadiumit “Estadio BBVA” në Guadalupe të Meksikës. Ndërsa ndeshjet e treta të skuadrave në këtë grup, do të zhvillohen në stadiumet e Teksasit dhe Kansas Sitit.
FIFA do të publikojë këtë të shtunë oraret zyrtare të ndeshjeve dhe stadiumet përfundimtare në të cilat planifikohen të luhen përballjet në fjalë.
PANORAMASPORT.AL








