Volejbollistja braziliane, Nayara Ferreira, 32 vjeçe është pezulluar nga Federata Shqiptare e Volejbollit për shkak të dyshimeve në lidhje me gjininë e saj.
Ferreira që aktivizohet me skuadrën e Dinamos ka munguar në disa ndeshje që prej tetorit, pasi federata i kërkoi të kryente një test gjinie në një laborator të caktuar për të vërtetuar se është femër.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters” ajo ka treguar ato çfarë ka përjetuar këto javë.
“M’u shemb bota mbi kokë. Askush nuk kishte vënë ndonjëherë në dyshim gjininë time. Pse po e bëjnë këtë vetëm me mua?”, tha ajo per Reuters.
Ferreira, e cila më parë ka luajtur në Arabinë Saudite dhe në disa vende të Europës, ndodhet në Shqipëri prej rreth dy muajsh. Ajo thotë se ndjehet e pasigurt që prej momentit kur akuzat dolën në mediat lokale.
“Nuk ndihem më e sigurt. Çdo herë që dal në rrugë, mendoj se mund të më ndodhë diçka,” tha ajo.
Trajneri i Dinamos, Orlando Koja, shprehet se mungesa e Ferreirës mund të ndikojë në objektivat e ekipit për titullin kampion, por edhe në mënyrën si vajzat e reja do ta shohin sportin në Shqipëri.
“Situata është shumë serioze,” tha Koja. “Ne, si ekip, po e mbështesim fort Nayarën. Jemi njerëz të fushës dhe nuk duam të merremi me thashetheme.”









