Në orët e para të mëngjesit të 3 janarit, Shtetet e Bashkuara me urdhër të presidentit Donald Trump nisën sulmet ushtarake në kryeqytet, Karakas, teksa forcat amerikane DELTA bënë të mundur arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, së bashku me bashkëshorten e tij, të cilët ndodhen tashmë në New York.
Lajmin e bëri të ditur vetë Presidenti i SHBA, Donald Trump, përmes një postimi në rrjetin social Truth, ku shkroi:“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me gruan e tij, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga vendi. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së. Detajet do të vijojnë më poshtë. Do të ketë një konferencë për shtyp sot në orën 11:00 të paradites, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”
Bota filloi të reagojë pas kësaj ngjarjeje. Liderët e mëdhenj botërorë dhanë deklarata për shtyp, disa duke e kritikuar këtë aksion, dhe disa të tjerë duke përgëzuar ndërhyrjen e qeverisë amerikane për rrëzimin e udhëheqësit venezuelian.
Zëri do të sjellë një përmbledhje të reagimeve pro dhe kundër liderëve të botës!
Liderët kundër veprimit të SHBA-së
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, shkroi në X se veprimi i SHBA-së është një hap drejt një bote më të dhunshme.
Reagimi: “Sulmet e SHBA-ve kalojnë një vijë të papranueshme, janë në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe janë hapi i parë drejt një bote me dhunë, kaos dhe paqëndrueshmëri.”
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, e quajti sulmin një “sulm ndaj sovranitetit” të Amerikës Latine.
Reagimi: “Konfliktet e brendshme mes popujve zgjidhen nga vetë popujt në paqe. Ky është principi i vetëvendosjes së popujve, që është baza e sistemit të Kombeve të Bashkuara. Kolumbia sapo është bërë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe synon ta thërrasë atë. Ftoj popullin venezuelian të gjejë rrugët e dialogut civil dhe unitetit të tij. Pa sovranitet nuk ka komb. Paqja është rruga dhe dialogu ndërmjet popujve është thelbësor për bashkimin kombëtar. Dialog dhe më shumë dialog është propozimi ynë.”
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, shprehu shqetësim dhe kërkoi një zgjidhje paqësore për krizën serioze që po ndikon në vend.
Reagimi: “Si qeveri e Kilit, ne shprehim shqetësimin tonë dhe i dënojmë veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës së rëndë që po prek vendin. Kili riafirmon angazhimin e tij ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si ndalimi i përdorimit të forcës, mosndërhyrja, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe integriteti territorial i shteteve.”
Presidenti kuban, Miguel Diaz-Canel, akuzoi SHBA-në për një “sulm kriminal”, ndërsa Uruguai, në një deklaratë zyrtare, tha se po ndjek zhvillimet “me vëmendje dhe shqetësim të madh” dhe “refuzon, si gjithmonë, ndërhyrjet ushtarake.”
Lukashenko kundër SHBA-së
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar si agresion të Shteteve të Bashkuara kundër Venezuelës, dhe e bëri deklaratën përmes zëdhënëses së tij, Natalya Eismont.
Reagimi: “Presidenti i Bjellorusisë DËNON NË TERMET MË TË FORTA MUNDSHME aktin e agresionit amerikan ndaj Venezuelës. Aleksandr Lukashenko foli për pasojat në një intervistë të fundit me gazetarë amerikanë. Konkretisht, ai tha se ‘kjo do të jetë një Vietnam i dytë’ dhe amerikanëve nuk u nevojitet kjo.”
Kryebashkiaku i Nju Jorkut kundër Trump
Zohran Mamdani, kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut, është shprehur se ka telefonuar Trump për t’i shprehur kundërshtimin e tij ndaj sulmeve të kryera në Venezuelë.
Reagimi: “E telefonova presidentin dhe fola drejtpërdrejt me të për të shprehur kundërshtimin tim ndaj këtij veprimi. Unë personalisht jam kundër një përpjekjeje për ndryshim regjimi dhe kundër shkeljes së së drejtës federale dhe ndërkombëtare. Shpreha kundërshtimin tim, e bëra të qartë dhe çështja u mbyll aty.”
Kina i ka bërë thirrje SHBA-së që të lirojë “menjëherë” presidentin Nicolás Maduro dhe gruan e tij.
Reagimi: “Kina është thellësisht e tronditur dhe dënon fuqishëm përdorimin e hapur të forcës nga SHBA-ja ndaj një shteti sovran dhe veprimet kundër presidentit të tij. Të tilla akte hegjemone të SHBA-së shkelin rëndë të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Venezuelës, dhe kërcënojnë paqen dhe sigurinë në Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve. Kina e kundërshton fuqishëm këtë. Ne bëjmë thirrje që SHBA-ja të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, dhe të ndalojë shkeljen e sovranitetit dhe sigurisë së vendeve të tjera.”
Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ndërhyrjen amerikane si një “agresion të armatosur” të SHBA-së në Venezuelë.
Reagimi: “Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara. Në situatën aktuale, është e rëndësishme, para së gjithash, të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të përqendrohemi në gjetjen e një rrugëdaljeje nga situata përmes dialogut. Ne mbështesim deklaratën e autoriteteve venezuelase dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që bëjnë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”
Udhëheqësi i Iranit, Ali Khamenei: “Ajo që ka rëndësi është se kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, mbi qeverinë dhe mbi kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut. Duke u mbështetur te Zoti i Plotfuqishëm, duke i besuar Zotit dhe me besim në mbështetjen e popullit, me vullnetin e Zotit dhe me hirin hyjnor, ne do ta gjunjëzojmë armikun.”
Serbia
Presidenti Aleksandar Vuçiç tha: “Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë. Serbia dëshiron miqësi me SHBA-në, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Shpresoj që situata në Amerikën e Jugut të qetësohet dhe që sulmet ndaj Venezuelës të ndalen.”
Bashkimi Evropian dhe vendet që mbështesin SHBA-në
Bashkimi Evropian
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE mbështet një tranzicion paqësor dhe demokratik në Venezuelë.
Reagimi: “Duke ndjekur nga afër situatën në Venezuelë, ne qëndrojmë pranë popullit të Venezuelës dhe mbështesim një tranzicion paqësor dhe demokratik. Çdo zgjidhje duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së.”
Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, tha:“Kam biseduar me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe me ambasadorin tonë në Caracas… BE-ja ka deklaruar përsëri se zoti Maduro nuk ka legjitimitet dhe ka mbështetur një tranzicion paqësor.”
Franca
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se largimi i Nicolás Maduro-s hap një kapitull të ri për Venezuelën dhe theksoi nevojën për një tranzicion të qetë dhe respektues të vullnetit të popullit.
Reagimi: “Populli venezuelian sot është i çliruar nga diktatura e Nicolás Maduro dhe nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të gëzohet. Duke konfiskuar pushtetin dhe duke shkelur liritë themelore, Nicolás Maduro ka sjellë një dëm të rëndë ndaj dinjitetit të popullit të tij. Tranzicioni që vjen duhet të jetë paqësor, demokratik dhe respektues i vullnetit të popullit venezuelian. Ne shpresojmë që Presidenti Edmundo González Urrutia, i zgjedhur në vitin 2024, të mund ta sigurojë sa më shpejt këtë tranzicion. Aktualisht jam në bisedime me partnerët tanë në rajon. Franca është plotësisht e angazhuar dhe vigjilente, veçanërisht për të siguruar mbrojtjen e shtetasve të saj në këto orë pasigurie.”
Danimarka
Ministri i Jashtëm Lars Lokke Rasmussen tha se e drejta ndërkombëtare duhet të respektohet.
Reagimi: “Zhvillim dramatik në Venezuelë, që po e ndjekim nga afër. Duhet të kthehemi në rrugën e de-eskalimit dhe dialogut.”
Gjermania
Ministria e Jashtme e Gjermanisë të shtunën bëri thirrje për një zgjidhje politike në Venezuelë.
Reagimi: “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të shmangin një përshkallëzim të situatës dhe të kërkojnë rrugë për një zgjidhje politike,” thuhej në një deklaratë me shkrim të siguruar nga Reuters, pasi një ekip krize ishte mbledhur në ministri.
Belgjika
Zëvendës-kryeministri dhe ministër i jashtëm Maxime Prevot tha se siguria e qytetarëve belgë në Venezuelë është prioriteti kryesor.
Reagimi: “Ambasada jonë në Bogotá, përgjegjëse për Venezuelën, dhe shërbimet tona në Bruksel janë të mobilizuara plotësisht. Situata po monitorohet nga afër, në koordinim me partnerët tanë europianë.”
Spanja
Ministria e Jashtme e Spanjës bëri thirrje që SHBA-ja të zgjidhë konfliktin.
Reagimi: “Në këtë drejtim, Spanja është e gatshme të ofrojë ndërmjetësimin e saj për të arritur një zgjidhje paqësore dhe të negociuar për krizën aktuale.”
Italia
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbrojti sulmin e SHBA-së në Venezuelë, duke e quajtur atë një “mbrojtje” legjitime, edhe pse theksoi se forca ushtarake e jashtme nuk duhet të përdoret për ndryshimin e regjimit. Reagimi: “Qeveria beson se veprimi ushtarak i jashtëm nuk është mënyra për t’i dhënë fund regjimeve totalitare, por në të njëjtën kohë e konsideron të ligjshme ndërhyrjen mbrojtëse kundër sulmeve hibride ndaj sigurisë së saj, si në rastin e subjekteve shtetërore që nxisin dhe promovojnë trafikun e drogës. Italia, së bashku me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, nuk e ka njohur kurrë fitoren e vetëshpallur të Maduro-s, duke dënuar aktet e represionit të regjimit dhe gjithmonë ka mbështetur aspiratën e popullit venezuelian për një tranzicion demokratik. Koherent me pozicionin historik të Italisë, qeveria vlerëson se veprimi i jashtëm ushtarak nuk është rruga për të përfunduar regjimet totalitare, por konsideron legjitim një ndërhyrje mbrojtëse kundër sulmeve hibride ndaj sigurisë së vet, si në rastin e entiteteve shtetërore që ushqejnë dhe favorizojnë trafikun e drogës. Ne vazhdojmë ta ndjekim me vëmendje të veçantë situatën e komunitetit italian në Venezuelë, siguria e të cilit përbën prioritetin absolut të qeverisë.”
Mbretëria e Bashkuar
Kryeministri britanik Kier Starmer tha se edhe pse Britania nuk ka pikë loti për fundin e regjimit të Maduro-s, ai ripohon mbështetjen për të drejtën ndërkombëtare.
Reagimi: “Dua të mbledh të gjitha faktet materiale, dhe thjesht nuk kemi pamjen e plotë në këtë moment. Po lëviz shumë shpejt, dhe duhet ta përpiloj këtë. Mund t’ju them qartë se nuk ka pasur përfshirje të Britanisë në këtë operacion. Më pas duhet të flas me presidentin Trump, duhet të flas me aleatët tanë, por nuk e shmang këtë. Kam qenë një mbështetës i gjatë i së drejtës ndërkombëtare dhe i rëndësisë së respektimit të saj. Por dua të sigurohem që të kem të gjitha faktet në dispozicion, dhe nuk i kemi ato në këtë moment. Dhe duhet t’i kemi para se të marrim një vendim mbi pasojat në lidhje me veprimet që janë ndërmarrë.”
Izraeli
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përgëzoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump për operacionin në Venezuelë.
Reagimi: “Urime, President Trump, për udhëheqjen tuaj të guximshme dhe historike në favor të lirisë dhe drejtësisë. I shpreh respektin tim vendosmërisë suaj të palëkundur dhe veprimit të shkëlqyer të ushtarëve tuaj të guximshëm.”
Ukraina
Presidenti Volodymyr Zelenskyy vlerësoi zhvillimet e fundit në Venezuelë si një test të rëndësishëm për mënyrën se si SHBA do të trajtojë udhëheqësit autoritarë në të ardhmen. Ai la të kuptohet se precedentë të tillë mund të kenë ndikim edhe në skenarë të tjerë ndërkombëtarë, duke nënkuptuar indirekt edhe presidentin rus Vladimir Putin.
Reagimi: “Çfarë mund të them për Venezuelën? Nëse është e mundur të veprohet ndaj diktatorëve të tillë, atëherë Shtetet e Bashkuara e dinë shumë mirë se cili duhet të jetë hapi i radhës.”
Shqipëria dhe Kosova mbështesin SHBA-në
Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës: “Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie. Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë. Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake.”
Shqipëria reagoi përmes ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, e cila mbështet operacionin e SHBA-së.
Reagimi: “Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.”
Në përfundim, sulmet amerikane në Venezuelë kanë trazuar botën dhe nxitur reagime të forta nga çdo cep i globit. Ndërsa tensionet vazhdojnë, e ardhmja e Venezuelës mbetet e pasigurt./ZËRI



