Bordi i Paqes/ Rama përgatitet për vizitë në SHBA: Mora ftesë nga Trump, do jem në Uashington


Bordi i Paqes/ Rama përgatitet për vizitë në SHBA: Mora

Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se më 19 shkurt do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë në Washington për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes. Gjatë podkastit të përjavshëm Flasim, kreu i qeverisë është shprehur se ka marrë një ftesë nga Presidenti Trump për të vizituar SHBA-të. Rama tha se Shqipëria ka privilegjin që të jetë shtet themelues i Bordit të Paqes dhe të mos kontribuajë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme.

Edi Rama: Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar,se,se,se… Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.

ÇFARË ËSHTË BORDI I PAQES?

Trump e propozoi për herë të parë Bordin e Paqes shtatorin e kaluar, kur njoftoi planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Më vonë, ai e bëri të qartë se fushëveprimi i bordit do të zgjerohej përtej Gazës për të trajtuar konflikte të tjera në mbarë botën. Presidenti i SHBA-së do të jetë kryetari i parë i bordit dhe do të ketë për detyrë të promovojë paqen në të gjithë botën dhe të punojë për zgjidhjen e konflikteve, sipas një kopjeje të draft-kartës së parë nga Reuters.

Shtetet anëtare do të kufizohen në mandate trevjeçare, përveç rasteve nëse paguajnë nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm, thuhet në statut. Shtëpia e Bardhë ka emëruar Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, si anëtarë të Bordit Ekzekutiv themelues të iniciativës.

Rreth 35 liderë botërorë deri më tani janë zotuar të bashkohen me Bordin e Paqes nga rreth 50 ftesa që janë dërguar. Këto përfshijnë aleatë të Lindjes së Mesme si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe , Bahreini, Jordania, Katari dhe Egjipti. Anëtarët e NATO-s, Turqia dhe Hungaria, udhëheqësit nacionalistë të të cilave kanë kultivuar lidhje të mira personale me Trumpin, gjithashtu kanë rënë dakord të marrin pjesë, ashtu si edhe Maroku, Pakistani, Indonezia, Kosova, Uzbekistani, Kazakistani, Paraguai dhe Vietnami. Benjamin Netanyahu i Izraelit është gjithashtu dakord.

Poll



Source link

Scroll to Top