TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha në podcastin e tij të përjavshëm “Flasim” se Partia Socialiste është përfshirë në një proces të brendshëm për të zgjedhur drejtuesit e organizatave në të gjithë territorin e Shqipërisë, nga niveli i qendrës së votimit, te njësitë administrative dhe bashkitë. Ai theksoi se kjo nuk është thjesht një fushatë organizative, por edhe një fushatë komunikimi me qytetarët, mbështetësit dhe të gjithë ata që duan të informohen nga burime të drejtpërdrejta.
Ai nuk la pa përmendur informacionet që qarkullojnë në vend, për bllokimin e procesit të integrimit, të përmedura dhe dje nga kreu i opozitës Sali Berisha. Rama i quajti “zift deformimesh” këto lajme, duke theksuar se puna e Shqipërisë për procesin e integrimit vazhdon çdo ditë dhe së shpejti do të ketë lajme shumë të mira për vendin tonë.
“Jemi përfshirë në një proces, në një fushatë të brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur ata që do të jenë drejtues të organizatave tona, në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga niveli i qendrës së votimit, te niveli i njësive administrative dhe bashkisë. Por njëkohësisht ka rëndësi të kuptohet se kjo nuk është thjesht një fushatë organizative, por edhe një fushatë komunikimi mes nesh dhe atyre që na mbështesin, që na besojnë ose kanë dëshirë dhe nevojë të na dëgjojnë dhe t’i dëgjojmë.
Pasi jetojmë në një kohë që bëhet gjithmonë e më e vështirë për të mësuar të vërtetën ose për të marrë informacion të drejtëpërdrejtë lidhur me një fakt që të intereson, ndodh e kundërta. Je menjëherë i përmbysur nga gjysma e të vërtetës, që shpesh përmban edhe gënjeshtra të mëdha. Nga gënjeshtra të qarta, nga sajesa dhe nga komente të ndryshme që në fund të ditës më shumë e mbulojnë sesa ndihmojnë në kërkimin e së vërtetës.
Ajo që më shqetëson më shumë për sa na takon është se nuk flitet, nuk komunikohet dhe nuk diskutohet për punët e Shqipërisë. Përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne që qeverisim Shqipërinë, për t’i mbuluar punët e vendit me ziftin e deformimesh, baltën e gjithë urrejtjes, mllefit dhe inatit të tyre.
Shqipëria ka probleme patjetër, nuk mund të themi se nuk ka, dhe duhet të pranojmë sa kemi bërë. Por punët e Shqipërisë janë në vijë. Po ashtu, procesi më i rëndësishëm historik për anëtarësimin në BE vazhdon, përmes negociatave që po zhvillohen. E vërteta e thjeshtë është se puna e madhe e Shqipërisë vazhdon çdo ditë dhe, edhe pse procesi i hapjes së kapitujve ka ka ndaluar, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë,” -tha ai.
Ditën e djeshme, kreu i opozitës, Sali Berisha, u shpreh se 9 vende në Bruksel kanë bllokuar miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, duke vendosur procesin e integrimit në BE në vendnumëro. Ai akuzoi qeverinë se fshehu këtë fakt nga publiku, pasi sipas tij, qeveria u përpoq të mashtrojë qytetarët.
Berisha tha se pa votimin unanim të këtij raporti, asnjë kapitull i integrimit nuk mund të mbyllet, dhe nëse vazhdohet ky qëndrim, procesi mund të kthehet mbrapsht me pasoja serioze për vendin./ ZËRI




