“Bllokimi i negociatave me BE, tymnajë”! Hoxha kritikon shërbimin e jashtëm: S’na pret bota sa të pimë kafen e mëngjesit


"Bllokimi i negociatave me BE, tymnajë"! Hoxha kritikon

Ferit Hoxha

TIRANË-Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha i quajti tymnajë deklaratat se mbyllja e kapitujve të anëtarësimit ka ngecur në Bruksel. Gjatë një konference për shtyp, Hoxha deklaroi se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm, shembullor në avancimin e negociatave duke vijuar punën për përmbushjen e detyrimeve që vendi ka marrë me Komisionin Europian. Ministri nënvizoi se vendi është aktualisht në fazën e reformave, me synimin për mbylljen e kapitujve në bazë të dokumenteve të përbashkëta me Bashkimin Europian.

Ferit Hoxha: Kohët e fundit, javët e fundit kemi parë këndvështrime, deklarata, analiza, hamendësime, ato që do i quaja një tymnajë që është ushqyer nga diskursi i brendshëm. KE, pasi ka marrë gjithçka që i kemi çuar ne, 92 hapa konkretë, mbi këtë raport është hartuar IBAR, të cilin Komisioni ia ka paraqitur Këshillit. Vende të ndryshme kanë pyetje të ndryshme. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që 27 vendet anëtare të marrin një raport dhe të mos kenë pyetje. Ky është ushtrim klasik. Pyetjet mund të merrnin 4-8 javë, por nuk e kemi ne në dorë. Në bazë të pyetjeve, është Komisioni që jep përgjigje. Ne nuk jemi atje. Nëse do ketë fusha ku nuk kemi qenë bindës, do futen në procesin vijues që do jenë piketat përmbyllëse. Malit të Zi i janë dashur 8 vite për të hapur gjithë kapitujt, 13 muaj iu deshën Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij Hoxha kritikoi edhe shërbimin e jashtëm, duke thënë se duhet të jetë më profesional. Ai u shpreh se trupa diplomatike duhet të jetë me integritet, si një administratë europiane dhe efikase.

Ferit Hoxha: Shërbimi i jashtëm sot ka njerëz të shkëlqyer, nëpunës publikë shembullorë, me të cilët duhet të jemi krenarë. Diplomatët tanë shërbejnë në rrethana, që nuk janë të lehta. Jo të gjithë shërbejnë në vende të mira. Nuk është e lehtë. Ndonjëherë partnerja nuk gjen punë, fëmijët e kanë të vështirë në shkollë. Por, diplomatët tanë veprojnë edhe në mjedise shumë sfiduese, duke pasur parasysh dhe vende si Gjiri Persik. Por ka dhe probleme. Nuk na pret bota që ta pijmë kafen e mëngjesit dhe nuk ndalet bota në orën 16:00. Nuk mund të kënaqemi me gjëra sipërfaqësore. Situata sot kërkon vendimmarrje ndonjëherë të shpejtë dhe të mençur. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë profesional. Sepse nëse sot shërbimi i jashtëm mbron veç interesin e Shqipërisë, nesër do të mbulojë interesa më të gjera. Trupa diplomatikë duhet të jetë me integritet, si një administratë europiane dhe efikase.

Poll



Source link

Scroll to Top