TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të dhënë ndaj tij. Në dalje nga ambientet e SPAK, Berisha u ndal në një prononcim për mediat, teksa sulmoi gjyqtaren Irena Gjoka. Sipas Berishës, Gjoka nuk i plotëson kriteret për të qenë gjykatëse, pasi ka feshehur dënimin në Greqi.
Kryedemokrati vijoi akuzat, duke thënë se gjyqtarja Gjoka mbahet në detyrë për shkak të dosjes së Ilir Metës, pa asnjë fakt penal. Për këtë, sipas Berishës, ajo vepron e ndihmuar nga pushteti i Edi Ramës.
“Ky është shteti i Irena Gjokës me 5 mbiemra. Është dënuar me vendim të formës së prerë dhe vazhdon që të jetë gjykatëse. Nuk mund të jetë gjykatëse, në momentin që është dënuar dhe nuk e ka deklaruar as në formularin e dekriminalizimit. Pra, çdo vendim i Irena Gjokës, që nga dita që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, është i pavlefshëm, është nul sepse është marrë nga një person që nuk mund të ishte gjykatës. Kjo, sipas Kushtetutës, por edhe sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas precedentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Cani kundër Shqipërisë, Irena Gjoka nuk mund të jetë gjykatëse dhe proceset e ndjekura prej saj janë nul. Rikujtoj këtu se ajo mbahet në detyrë sepse ajo mban dosjen e Ilir Metës, dosje që nuk ka asnjë fakt penal, përveç vendimit hakmarrës primitiv të Edi Ramës ndaj tij”, tha Berisha.
Për Berishën, gjyqtarja Gjoka duhet të ishte në burg, për shkak të mos deklarimit në formularin e dekriminializmit.
“E para është ndjekja penale kundrejt Irena Gjokës. Mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit është një vepër penale për të cilën ajo duhet të ishte në burg. E dyta, mosdeklarimi e vendimit penal në formularin e dekriminalizimit sjell përsëri përfundim të mandatit që në momentin kur është kryer shkelja. Kjo është një procedurë administrative, pra jo penale, për të cilat nuk vlen asnjë afat parashkrimi i kodit penal. Nuk ka nevojë për veprim verifikues kaq kompleks.”, shtoi ai.
Në çështjen “Partizani”, Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI



