TIRANË– Kryedemokrati Sali Berisha gjatë mbledhjes së PD në kuadër të Reformës Territoriale ka dhënë disa propozime ku ka kërkuar që në Shqipëri të kthehen komunat aty ku ka më shumë se 1300 banorë. Po ashtu, Berisha ka kërkuar të krijohen rajone, dhe Bashki të reja sipas numrit të popullsisë. Sipas tij, kjo duhet të bëhet që të mos përjashtohen nga territori.
Kryedemokrati shprehet se harta duhet që të bazohet në kritere shkencore, demografike, ku sipas tij, të ketë dy parime: shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit.
“Franca numëron 36 mijë komuna, potenciali më i madh bujqësor i Europës, dhe ka komuna me 1500 banorë. Ndaj dhe ne duhet të rikthejmë me përparësi në zonat kodrinore malore shërbimet dhe komunat si thirrja dhe mundësia e fundit për të mos i përjashtuar nga territori. Duhet të përcaktohet numri i banorëve për bashkitë në qytetet satelite të qyteteve të mëdha. Duhen të rikthehen bashkitë apo komunat, sido që të jetë termi. Kamza është qyteti i gjashtë në Shqipëri sipas censusit të 2011. Duhet të krijohen bashkitë në mënyrë që aty ku është e mundur. 110 mijë banorë ka Sukthi, tani është i shuar. Sukthi është dy herë sa Shijaku për numër banorësh, por për Edi Ramën nuk ka rëndësi. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për një hartë që duhet të bazohet në kritere shkencore, demografike ku të ketë dy parime: shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit. Ne i qëndrojmë rajoneve. Duhet të jenë me të gjithë kapacitetet për t’iu përgjigjur Europës së rajoneve. Sot ne përcaktojmë parimet, por duhet bërë një debat i gjerë në të gjithë territorin që të dalim me skemën përfundimtare. Komisioni ka përpunuar disa variante, nuk kemi një përfundimtar sot. Ai do të dalë pas një debati që do bëhet në shkallë kombëtare”, tha Berisha.
Çfarë ndodhi 12 vite më parë?
Më 23 janar 2014, me propozim të Konferencës së Kryetarëve, Kuvendi miratoi ngritjen e Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Vendimi parashikonte përbërje të barabartë mazhorancë-opozitë: 6 anëtarë nga PS, 2 nga LSI, 6 nga PD, 1 nga PR dhe 1 nga PDIU. Gjithashtu, vendimi parashikonte bashkëkryesimin e Komisionit nga PS dhe PD, dhe vendim-marrje mbi bazë konsensusi. Pika 10 e Vendimit parashikonte se vendimet e Komisionit do të quheshin të vlefshme nëse për to do të votonte shumica e të gjithë anëtarëve të tij, që nënkuptonte që nuk mund të kishte vendim-marrje pa minimumin e një vote mbështetëse nga anëtarët e opozitës në Komision.
Asakohe Partia Demokratike kërkoi që opozitës t’i garantohej e drejta e vetos përgjatë gjithë procesit, duke arsyetuar se konsensusi i garantuar në Komision mund të prishej në seancë plenare. Mazhoranca u shpreh disa herë se ishte dakord me kërkesën për veto, dhe se e kishte garantuar këtë – duke patur parasysh procedurën për vendim-marrje të Komisionit (pikën 10 të Vendimit). Si prova të vullnetit të mazhorancës për konsensus, opozita kërkoi tërheqjen e aktit normativ për nëpunësin civil, grupit të kontrollit për ILDKP-në, dhe përpjekjeve për të ndryshuar kryetaren e AMA.
Më 24 prill 2014, pasi opozita nuk mori pjesë në Komision për 3 muaj duke bllokuar kështu veprimtarinë e tij, Kuvendi mori një vendim tjetër ku rriti peshën e mazhorancës në Komision me një anëtar, dhe shtyu afatin e funksionimit të tij deri në qershor 2014. Katër ditë më vonë, Komisioni i Posaçëm Parlamentar miratoi kriteret për reformën.
Mungesa e opozitës çoi në heqjen e një pjesë të madhe të bashkive. Më 17 korrik 2014, Komisioni miratoi edhe hartën e re me 61 bashki, që më pas u miratua me 88 vota në seancë plenare, më 31 korrik, 2014./ZËRI



