TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon foltoren e tij të radhës në qytetin e Kurbinit. Ai ka folur për situatën politike në vend dhe për rastin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku. Ai deklaroi se nëse vendi ynë do të kishte në ligj dënim me vdekje, Balluku do të meritonte 2 të tilla, duke iu referuar skandalit të tenderëve të Unazës së Madhe në Tiranë dhe Tunelit të Llogarasë.
“Nëse do të ishte dënim me vdekje, të paktën do merrte dy dënime me vdekje. Nga ato që u ka bërë qytetarëve. Ky përsëri bllokon heqjen e imunitetit. Mbajtën dje 5 orë mbledhje dhe në fund urdhëroi kryetarin të mbyllte mbledhjen pa njoftim për mbledhjen tjetër. A mund të pranojmë më? A mund të bëjmë ne atë që bënë afrikanët ndaj figurave të tilla? Ne përmbysëm një diktaturë, dhe do përmbysim edhe këtë në mënyrën më të fuqishme, më të vendosur dhe më shpejt.” – u shpreh Berisha në takimin me demokratët.
Kujtojmë se Berisha po vijon turin e Foltores në çdo qytet për të folur nga afër me qytetarët dhe demokratët për situatën politike në vend./ZËRI



