Berisha nga Foltorja para Kryeministrisë: Integrimi me Ramën është i pamundur, BE po shton kundërshtimet


Berisha nga Foltorja para Kryeministrisë: Integrimi me Ramën

Sali Berisha

TIRANË- Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po pengon procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij në “Foltoren” para Kryeministrisë, Berisha u shpreh se integrimi me qeverinë aktuale mbetet “një horizont i pakapshëm”, ndërsa pretendoi se gjithnjë e më shumë vende anëtare të BE-së po kundërshtojnë progresin e Shqipërisë.

Sipas tij, numri i vendeve që po bllokojnë procese të rëndësishme është në rritje, nga 4 vende në 9 vende. Ai shtoi se kryeministri po humbet mbështetjen e qytetarëve dhe se, sipas tij, edhe partnerët ndërkombëtarë po rrisin kritikat ndaj qeverisë shqiptare.

“Ndaj dhe kjo platformë këtu është zëri i qytetarëve, është zëri i të vërtetës. Dhe kjo platformë do triumfojë mbi këtë llum që kemi mbrapa. Kjo platformë do t’u tregojë shqiptarëve dhe botës se çfarë është Edi Rama. Se është lule Lubia në krahasim me Edi Ramën. Se Edi Rama po mbron veten e tij, po mbron vjedhjet e tij, po mbron vjedhjet e tij familjare, vjedhjet e tij qeveritare. Miqtë e mi, megjithatë ai po del çdo ditë e më shumë para shqiptarëve dhe botës ashtu siç është, një armik i egër i qenies së këtij vendi dhe qenies së këtij populli.

Me vendimet e fundit, çdo ditë kalon nga një mbledhje partie socialiste, se popull nuk takon dot më, në një mbledhje tjetër të PS. Çfarë u thotë? Gati është integrimi, po ecim. Në të vërtetë, integrimi me Edi Ramën ka qenë dhe mbetet një horizont i pakapshëm. Dy javë më parë ishin katër vende ato që bllokuan votimin e raportit thelbësor, pa të cilin asnjë kapitull nuk mbyllet. Dy javë më vonë janë nëntë vende. U garantoj se pas dy javësh të tjera do jenë 15. Dhe sa më shumë do ta njohë Europa dhe bota Edi Ramën, aq më shumë do ta neverisin atë, aq më shumë do ngrihen kundër tij.”- tha ai.

Ndërkohë të shtunën akuzoi qeverinë se kishte fshehur lajmin se 9 vende në Bruksel kanë bllokuar miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, duke e vendosur procesin në vendnumëro./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top