TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, e ka nisur vitin e ri duke u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, duke respektuar masën e sigurisë që është vendosur ndaj tij për çështjen Partizani. Berisha e ka nisur sërish me akuza në drejtim të ish-kreut të SPAK Altin Dumani, të cilin vazhdimisht e ka quajtur Altin Troplini, ndërsa tha se brenda Prokurorisë së Posaçme, flenë një sërë dosjesh që do të çonin në vënien para përgjegjësisë të kryeministrit Edi Rama.
“Së pari njëherë të gjithë atyre që na ndjekin, u uroj gëzuar Vitin e Ri 2026. Një vit me më të mirat për ata dhe më të dashurit e tyre. Këtu në Skap lashë këtë shënim: Altin Troplinit, Pajës së Skapit (i mbeti atij, nuk ia vura unë, që kur e fali atë Elvis Doçin, ai mbeti Paja i Skapit) armikut të pluralizmit politik dhe avokatit të McGonigalit, me garanci se krimet e tij nuk do mbeten pa ndëshkimin e merituar ligjor.
Natyrisht, këtu kryefjala, dhe unë e kuptoj dhe e lexoj në sytë tuaj, se e keni Ramaduron tani, atë po prisni ju tani se ç’do të them unë për Ramaduron. Por unë do të them ato që ka Ramaduro vetë.
Më lejoni pak t’u informoj se çfarë ka thënë Ramaduro për veten e tij. Në SPAK gjeta McGonigalin, i cili po dëshmonte kundër Edi Ramës dhe po e priste Edi Ramën në ishullin Riker, jo në Metropolitan.
Ishulli Riker është një ishull burg si muze, me të gjithë banditët e mëdhenj të historisë së SHBA. I kanë aty edhe gurët e varrit se kanë hyrë dhe nuk kanë dalë më nga ishulli. Qëndrimi im ndaj çdo punonjësi të Prokurorisë Speciale, Gjykatës Speciale, policisë, BKH-së është qëndrimi që ata do të mbajnë ndaj ligjit. Ne nuk kërkojmë absolutisht asgjë tjetër, veç se zbatimin e ligjit. Altin Troplini instaloi në mënyrën më kriminale, praktikën staliniste të arrestimeve pa prova dhe të krijimit të provave pas arrestimeve. Kjo është faqja e zezë që ai hapi në këtë institucion dhe për të cilën ai do të bëhet përgjegjës deri ditën e fundit të jetës së tij. Ai iku, por ligji nuk iku.
Drejtuesi i ri, e thashë dhe njëherë, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin, ka dhe do të ketë vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare.”, u shpreh Berisha, ndërsa u ndal dhe te lajmi më i bujshëm i ditëve të fundit, ai i arrestimit të Nicolas Maduros, nga njësitë elitë të ushtrisë amerikane, dhe krahasimi i vazhdueshëm që ai i ka bërë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Ja çfarë shkruan Edi Rama për veten e vet. Në gjykatë kishte ndryshuar emrin nga Edi Rama në Endri Kajsiu. Ka marrë emrin e Endri Fugës dhe mbiemrin e Blendi Kajsiut. E lexuat besoj, e kuptuat edhe ju.
Tani thotë këtu se: U arrestuar Nikola Maduro dhe ca trushkulur po presin që Delta të zbresë në Surrel për të arrestuar Edi Ramën. Pra, çfarë është kjo? Edi Rama e pranon vetë se është fajtor, por nxjerr si argument të vetëm se Venezuela ka naftë dhe Shqipëria nuk ka naftë. Dhe kartelet në Venezuelë janë më të mëdha se sa kartelet në Shqipëri.
Pra, sipas Endri Kajsiut, emrit të ri të Edi Ramës, ia kishte botuar edhe gazetari i Linda Ramës, ky shpifësi i dënuar për shpifje i Prapaskenës, ky Doçi e ka publikuar këtë, pra sipas Edi Ramës problemi është se Venezuela ka naftë dhe Shqipëria nuk ka naftë, paçka se u thoshte shqiptarëve se Shpiragu noton mbi naftë. Këtë e harron ai.
Dhe u thotë se kartelet janë më të vogla në Shqipëri se në Venezuelë, paçcka se kartelet shqiptare kontrollojnë tregun e Europës.Të gjitha këto dëshmojnë se Edi Rama pranon vetë fajësinë, pranon se është Ramaduro i Europës, pranon se ka vetëm një fat dhe ky është fati i Maduros.Por këtë natyrisht do t’ia japin Deltat apo do ia japë populli shqiptar, unë them se do ia japë populli shqiptar. Megjithatë, për dijeni, McGonigali ishte aty. Po, kishte ardhur, po bënte dëshmi të reja, se është hapur dosja e tij”, vijoi Berisha komunikimin e tij me gazetarët.
Ndërkohë që sa i takon dosjes Partizani, Berisha tha se Prokuroria e Posaçme ka shtuar akuzë ndaj tij, vetëm për faktin se fëmijët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave, njësoj si dhe 1 milionë shqiptarë.
“Sa për t’ju informuar se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president i republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen Partizani, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.
Tani dëgjojeni se cilat janë pasuritë.
Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metër katrorë në rrugën Myzeqari, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.
Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali.
Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë.
Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike.
Edhe njëherë, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike.
Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.
Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave.
Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me ligjin 7652.
Ky është pra noviteti i akuzës së Altin Troplinit dhe ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit, sikundër dhe Enkelejda Fetahut. Sepse kjo është Balla ose Fetahu mund ta quajmë këtë”, vijoi deklaratën e tij Berisha, ndërsa tha se ky vit do të jetë viti që do të sjellë fitoren e opozitës, përmes protestave të vazhdueshme kundër qeverisjes së Edi Ramës. /ZËRI



