TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një komunikim me qytetarët ka folur rreth përplasjeve të fundit me ish-deputetin demokrat Ervin Salianji.
Ai theksoi se Salianji e ka vetëpërjashtuar veten nga partia, duke e akuzuar se ai po mbron interesa private dhe të paligjshme, për të cilat pretendon se i ka dhe të dokumentuara. Kreu i opozitës përmendi nenin 24 të statutit të PD-së që sipas tij justifikon përjashtimin e Salianjit. Sipas këtij neni për të marrë një vendim të tillë duhet të mblidhen forumet përkatëse, përfshirë dhe kryesinë e degës.
Duke u kthyer përgjigje qytetarëve ai ka theksuar se ndarja e PD-së nga këta individë, nuk është humbje por ringritje dhe forcim të strukrurave të partisë. Berisha paralajmëroi edhe spastrime në PD për të gjithë ata që po bashkëpunojnë ose punojnë për Edi Ramën.
“Salianjit t’i përgjigjeni si një njeri që ka përjashtuar veten nga PD. I dashur Arbër, as ti, as unë dhe asnjë njeri, asnjë njeri, nuk është përgjegjës për aktet e paligjshme ndaj atyre që janë përgjegjës për aktet e tyre të paligjshme. Ndaj atyre që mbrojnë interesa të paligjshme. Nuk ka asnjë përgjegjësi. Ndaj dhe u garantoj që ai ka vetëm interesa private, strikt private, të faktuara me dokumente, ndaj dhe i është thënë anëtarësisë se ai zotëria ka përjashtuar veten nga PD. Kemi një nen ne, neni 24 i statutit, kur kapesh në shkelje flagrante të tij, dhe të detyrojnë pastaj të shëtisësh poshtë e përpjetë, ajo është veprimtari private e jotja, nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Kjo është përgjigjia ime për ju dhe çdo demokrat. Mos harroni një gjë, opozitarizmi është i vështirë, nuk është i thjeshtë, dhe të mos mendojë kush se ndarja me këta njerëz, e dëmton PD-në. U garantoj se e forcon. A e patë tjetrin? Disa vrapojnë drejtora, disa vrapojnë andej, nuk na duhen ne këta Arbër, ata janë mish i huaj në opozitë. Ata nuk janë opozitarë, janë pseudoopozitarë. Ne duhet të qëndrojmë parti e hapur pa asnjë mëdyshje, por kurë ndaj atyre që interesave të tyre personale përpiqen të shfrytëzojnë partinë për të avancuar interesa të paligjshme apo veprimtari në shkelje të rënda të ligjeve. Jo, atë nuk e bëjmë ne. Nuk jemi ne avoketër. Ne jemi parti e shtetit ligjor dhe i qëndrojmë asaj.”, -tha Berisha.
Dje ish-deputeti ka reaguar pas deklaratës së kryedemokratit Sali Berisha, sipas të cilit ish-ligjvënësi është vetëpërjashtuar si pasojë e lëvizjes së tij të re.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Salinaji kundërshtoi Berishën duke i rikujtuar atij se vetë Kushtetuta e PD-së nuk njeh ‘vetëpërjashtime’./ZËRI




