MIRDITË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur sot Foltoren e radhës në Mirditë. Berisha gjatë fjalës së tij në takimin me demokratët akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për diskriminim ndaj veriut dhe veçanërisht Mirditës, duke e krahasuar situatën me periudha të rënda të së kaluarës. Kreu i PD pretendon se bashkitë e veriut kanë marrë shumë më pak investime krahasuar me zona të tjera të vendit, duke përmendur raste të dyshuara të përfitimeve të padrejta në jug të vendit.
Sali Berisha: Sot Mirdita dhe Shqipëria ka lindshmërinë më të ulët për shkak të emigracionit. Nga viti 2018 vdekjet tejkalojnë ndjeshëm lindjet. Çdo vit me këtë ritëm ne pakësohemi 400-500 mijë vetë në vitin 2050. Ne ecim drejt shfarosjes tonë nga ky regjim si kurrë ndonjëherë tjetër. Por unë jam këtu, do të them, Enver Hoxha për shkak të burrërisë, qëndresës, heroizmit antikomunist të mirditorëve, pushkatoi, ekzekutoi, burgosi qindra e mijëra mirditorë. Por ama diskriminim absolut që i ka bërë Edi Rama, Mirditës dhe veriut në tërësi nuk ja ka bërë kush kurrë. Para 5 ditësh po shihja një emision. Gazetarët po tregonin me dokumente se, si kryetari i bashkisë së Tepelenës, famëzi Tërmet Peçi, motra dhe i tij kishin përfituar 60 milionë euro tendera. Ju garantoj se të gjitha bashkitë e veriut të marra së bashku në 4 vite nuk kanë marrë 60 milionë investime nga qeveria. Një diskriminim, një lënie, e veriut i cili në prodhimin e përgjithshëm jep qindra milionë euro, kurse në shpërndarje shifni vetë. E ndaloi kohën, pa investime në Mirditë, në Shkodër, në Kukës, Tropojë, Peshkopi. 14 vite vazhdoi Rruga e Arbrit, dhe sa gjithsej 27 kilometra. 32 ishin të të përfunduara. Pra vetëm motra e Tërmetit kishte marrë nga vëllai i tij, apo rrethi i tij, 60 e ca milionë euro tendera. Ja ky është Edi Rama për mirditorët, ky është Edi Rama për banorët e veriut.



