TIRANË- Partia Demokratike njoftoi sot se Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm për kryetar në zgjedhjet e 23 majit. Vendimi i selisë blu ka nxitur reagime të forta brenda partisë, ku nuk vonoi reagimi publik i ish-deputetit Ervin Salianji.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Salianji kritikoi ashpër lidershipin e Berishës, duke e quajtur një lider tashmë të konsumuar. Sipas Salianjit, Partia Demokratike nuk mund t’i fitojë zgjedhjet me lidershipin aktual, dhe ngriti shqetësimin se PD po shkon drejt shuarjes.
Ai u bëri thirrje demokratëve të mos heshtin dhe të mbrojnë partinë e masave dhe pushtetit.
Postimi i Salianjit:
Standardi mizerabël se si Berisha po trajton Partinë Demokratike shpreh mungesën e thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve që prej 13 vitesh dergjen në opozitë.
Shpërfaqja e këtij shtetari deri në degradim total me ndasi, me idiotësi, me miq dhe armiq imagjinar…. me rrena dhe gënjeshtra të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, shprehin humbjen e e “kështjellës” së fundit që ai kishte arritur të fshinte: burrërinë.
Ai dhe rrethi që i kacavirret abuzon me besnikërinë dhe vlerat e demokratëve, duke i vendosur përballë një presioni moral: të heshtin “për respekt të moshës”, të heshtin përballë “ndereve që i janë bërë”, të heshtin para shuarjes së PD për shkak të lidhjes me të.
Kush mban përgjegjësi për humbjen më të thellë që nga 1997, me 11 Maj 2025? Kush i bëri listat? Kush hartoi programin banal sikur të ishte viti 1995? Kush e drejtoi fushatën?
Dhe pyetja më e rëndësishme: si do të fitojë Partia Demokratike?
Edhe demokratët më të fandaksur e dinë që me Sali Berishën dhe këtë lidership, nuk do fitohet kurrë.
Çdo ditë që ai qëndron në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë është një humbje për opozitën dhe për Shqipërinë.
Koha punon vetëm për ndryshimin. Sali Berisha nuk mund ta përfaqësojë kurrë atë.
Ai është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën.
Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu.
Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përfaqësim, pa përgjegjësi.
Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson Partinë Demokratike dhe e largon nga qytetarët.
Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, nuk e meriton të jetë! Ajo duhet të rikthehet në një parti masash dhe pushteti. Ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh!
PD nuk e meriton të shuhet për shkak të liderit të saj.
Llogaritë i kanë bërë gabim, veçanërisht me mua dhe shumicën e demokratëve.
Koha thërret demokratët të mos heshtin.
Gjithashtu, nuk ka munguar as reagimi i kandidates, Mereme Sela, pasi u skualifikua nga gara për kreun e Partisë Demokratike, që do të zhvillohet në 23 maj. Sela e ka cilësuar si të papranueshëm dhe të padrejtë skualifikimin e saj nga gara, ndërsa bën me dije se njoftimin për skualifikimin e saj e ka marrë nga mediat.
Sela ka reaguar ashpër, teksa shton se, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë, personi që duhet të skualifikohej nga gara është Sali Berisha. Ajo shtoi gjithashtu se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore dhe do të paraqesë ankesë zyrtare për skualifikimin nga gara e PD-së.
“Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është profesori Berisha.
Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite.
Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot. Duke iu falenderuar per mbeshtetjen!”, ka reaguar Sela.
Partia Demokratike nuk do të ketë garë, por referendum më 23 maj, kjo pasi dy kandidatët e tjerë, që synonin të merrnin pjesë në këtë garë, Vladimir Mulaj e Mereme Sela nuk janë kualifikuar si kandidatë, duke lënë të vetëm në garë kreun aktual Sali Berisha. Sipas njoftimit të selisë blu, dy kandidatët nuk plotësojnë kriterin e të qenit një “figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe u mungon “eksperienca drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal”.
Ndërkohë kandidaturat e ish-deputetit Ervin Salianji, aktivistes Evi Kokolari dhe Alesia Balliut u refuzuan. Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë planifikuar të mbahen më 23 maj. Ndërkohë, më 6 qershor pritet të zhvillohet edhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku do të formalizohen strukturat drejtuese dhe vendimmarrjet e reja politike të kësaj force./ZËRI




