TIRANË- Sekretariati i Etikës do të mblidhet të hënë për të vendosur për vendosur mbi kërkesën e socialistëve për përjashtimin e kryedemokratit Sali Berisha. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar një kërkesë zyrtare për marrjen e masës disiplinore ndaj kryedemokratit Sali Berisha, pas deklaratave publike të bëra në seancën plenare të 6 nëntorit 2025.
Sipas socialistëve, Berisha u shpreh në mënyrë fyese dhe denigruese ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke diskutuar mbi përkatësinë e tij seksuale, pasi ky i fundit kishte bërë thirrje të votohej si pjesë e përafrimit me legjislacionin e BE, ligji për Barazinë Gjinore.
Me firmën e 12 deputetëve, socialistët kërkojnë ndëshkimin e Berishës që të përjashtohet nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 60 ditë. Në kërkesë, argumentohet se veprimet e Berishës cenojnë jo vetëm dinjitetin personal të përfaqësuesit diplomatik, por edhe imazhin institucional të Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur parimet e etikës parlamentare të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe në Rregulloren e Kuvendit.
Nga ana tjetër, grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon përjashtimin e Taulant Ballës, për 10 ditë nga seancat plenare. Kërkesë e cila, gjithashtu do të shqyrtohet të hënën nga Sekretariati i Etikës, por nisur nga numrat kjo kërkesë e PD pritet të rrëzohet, pasi anëtarët socialistë janë shumicë në komision./ZËRI




