TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përmes një videomesazhi në rrjette sociale akuzoi kryeministrin Rama se në komunikimin e tij të së dielës shmangu qëllimisht diskutimin mbi raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë një dokument kritik ndaj qeverisë dhe procesit zgjedhor në vend.
Sipas Berishës raporti evidenton problematika serioze në zgjedhjet në Shqipëri si: blerjen e votës, financimet e paligjshme dhe fshirjen e kufirit mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake.
Kreu i opozitës thekson se në dokument kërkohet heqja e imunitetit “pa pengesa dhe me përparësi”, ndërsa kritikon faktin që zyrtarë të lartë të qeverisë vijojnë të mbajnë funksione publike, duke e lidhur me rastin e Belinda Ballukut.
Në fund të reagimit, Berisha kritikoi edhe deklaratat e Ramës për mediat dhe raportin e kohës televizive mes mazhorancës dhe opozitës, duke i cilësuar ato “mashtrime politike”. Po ashtu, u ngritën akuza edhe ndaj përfaqësimit të Shqipërisë në aktivitete ndërkombëtare të lidhura me drejtësinë dhe sundimin e ligjit.
Videomesazhi i plotë:
Sot, në monologun e tij të mashtrimeve të së dielës, Edi Rama u ndal tek 9 maji dhe përsëri tentoi të mashtrojë shqiptarët, duke fshehur me të gjitha mediat e tij dhe në monologun e tij, pa shqipëruar asnjë fjalë, për raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Raport në të cilin damkosen zgjedhjet si një proces, në të cilën linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake u shua, vota u ble, financime të paligjshme etj., etj. Në këtë raport theksohet se heqja e imunitetit duhet të bëhet pa asnjë pengesë dhe me përparësi, ndërkohë që Lubi Balluku vazhdon sot e kësaj dite të jetë zëvendëskryeministëre në hije, me të gjitha funksionet e saj. Raporti dënon rrokullisjen e Shqipërisë në korrupsion, 9 vende më poshtë se sa ishte, natyrisht, dhe mburojën që Edi Rama u bëri Lindave të tij të AKSHI-t. Në raport ngrihet përsëri mungesa e rolit të parlamentit në procesin e integrimit, ndërkohë që, kërkohet që parlamenti të ketë një rol qendror. Denoncohet qëndrimi i qeverisë ndaj minoriteteve, ndaj mediave, qëndrimi i papërgjegjshëm ndaj fëmijëve shqiptarë, ku sipas raportit gjysma e tyre jetojnë të përjashtuar, apo në rrezik varfërie. Dënohet me forcë ‘Ballkani i Hapur’ dhe nismat e tjera, siç ishte letra Vuçiç-Rama në Frankfurt, Allgemeine Zeitung, si përpjekje për të minuar procesin e integrimit. Pra, Edi Rama fshehu një dokument themelor të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Sikundër, ai nuk shqiptoi një fjalë të vetme për raportin IBAR dhe Coelho, që e ka, që po e shqyrton atë raport, shumë e shumë herë, pa rënë dakord për variantin përfundimtar të tij, por duke shtuar gjithnjë e më shumë kushte dhe kërkesa nga vendet anëtare prej Shqipërisë, qysh prej 5 muajsh gjer sot. Në monologun e tij, ai foli për një startup, i cili duket se është Diella e mediave. Sipas Edi Ramës që kontrollon 90% të mediave, sot 60% të kohës e merr opozita. Çka do të thotë se Edi Rama i paguajka mediat, i shpall investitorë strategjikë, u jep miliona që t’i japin opozitës përparësi, një mashtrim i madh siç ishte Diella për luftën kundër korrupsionit. Flet për Kongresin e Ligjit që do mbahet në Tiranë, paçka se Shqipëria përfaqësohet nga një nga kockat më të rrezikshme mafioze të Shqipërisë dhe të Ballkanit, i damkosuri Alket Hyseni. Këto ishin çështjet në të cilat sot ai mashtroi më shumë./ZËRI



