Një 20-vjeçare koreano-jugore është dënuar me katër vite burg pasi ka shantazhuar sulmuesin e njohur Heung-min Son, në periudhën kur ky i fundit ishte endje pjesë e Totenhemit.

Agjencia e lajmeve “Yonhap News TV”, ka bërë të ditur se ajo ka pranuar se ka shantazhuar Son me të cilin kishte kryer marrëdhënie seksuale. Bëhet e ditur se ajo i kishte kërkuar 300 milionë Uon (rreth 175 mijë euro) në fundin e vitit 2024, pasi i kishte dërguar foto të një ekografë të fetusit duke e kërcënuar se do të bënte publik faktin se kishte mbetur shtatzënë me të.
Më pas i kishte kërkuar një shumë tjetër, prej rreth 41 mijë eurosh, me bashkëpunimin e të dashurit të saj, i cili gjithashtu është dënuar me 2 vite burg, pasi çifti ishte arrestuar që në muajin maj.
Arrestimi kishte ardhur pasi Son nuk kishte pranuar të paguante këtë shumë të dytë dhe kishte bërë denoncim në polici. Gjyqi në fjalë është zhvilluar me dyer të mbyllura në muajin e kaluar dhe vetëm tani është mësuar dënimi që ka dhënë gjykata për dy personat që tentuan të shantazhonin yllin e futbollit koreano-jugor.
PANORAMASPORT.AL








