TIRANË- Zëvendëskryministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belnda Balluku është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Gjatë mbërritjes së saj është pyetur nga gazetarët nëse do të japë dorëheqjen, por Balluku nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Ndërkohë, pasi u mor në pyetje për rreth 40 minuta, Belinda Balluku ka dalë nga SPAK dhe është prononcuar shkurtimisht për mediat. Duke mos dhënë shumë detaje, Balluku shprehet se ka pranuar kërkesën e prokurorisë për një çështje nën hetim.
View this post on Instagram
“Në respekt të emër të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje nën hetim. Si një qytetare e Rep. Shqipërisë dhe si zyrtare, e shoh këtë si një proces që do të jetë i bazuar në transparencën dhe llogaridhënien e drejtësisë që unë besoj”, tha Balluku pasi doli nga SPAK.
Zv.kryeministres i ishte dërguar më herët një fletëthirrje për t’u paraqitur pasditen e kësaj të premteje, rreth orës 15:30, në SPAK. Balluku do të përfaqësohet me avokat nga motra e saj, Pamela Qirko, e cila u paraqit me herët në SPAK.
Kjo është hera e dytë që Balluku thirret në SPAK brenda kësaj jave, ndërsa të hënën nuk u paraqit, për shkak se kishte një agjendë të parashikuar jashtë vendit. Vetë Balluku deri tani nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me hetimet ndaj saj, ndërsa kryeministri Edi Rama tha pak ditë më parë se ai nuk do të bënte asnjë koment në lidhje me punën e institucioneve të drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë çështje, por gjatë seancës së të enjtes së kaluar, ku kreu Altin Dumani raportoi në kuvend, pranoi se zëvendës kryeministrja është në hetim. Belinda Balluku dyshohet se është nën hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tenderat publikë”, në lidhje me tunelin e Llogarasë. Më herët në pranga janë vënë disa bashkëpunëtorë të afërt të saj, përfshirë ish kreun e ARRSH-së Ervis Berberi. /ZËRI



