TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se për herë të parë do të krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese në Shqipëri. Pas mbledhjes së kabinetit, ministri bëri të ditur vendimet duke i cilësuar ‘domethënëse’, teksa shtoi se lidhen me autorizimin e shoqërisë “KAYO” për të negociuar dhe lidhur marrëveshje me dy kompani.
Ministri thekson se kjo është hera e parë që në Shqipëri pas kaq kohësh po krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese.
“Janë dy VKM që janë miratuar për autorizimin e shoqërisë “Kayo” për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani për krijimin e mjeteve lundruese në Shqipëri dhe mjeteve fluturuese pa pilot, pra dronët luftarakë. Këto dy vendimet të Këshillit të Ministrave janë domethënëse. Është hera e parë që në Shqipëri pas kaq kohësh po krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruse. Kjo na bën krenarë. Po ashtu sot miratuam katër akte që lidhen me ministrinë e Mbrojtjes, dy prej tyre lidhen specifikisht me forcat e armatosura dhe pjesëmarrjen e tyre në misione ushtarake ndërkombëtare. Pjesëmarrja e forcave tona në këto misione tregon jo vetëm përgatitjen që kanë efektivët tanë si nga ana ushtarake edhe nga ana civile, por gjithashtu tregon edhe faktin që ne jemi aktorë aktivë në të gjithë ndërmarrjet e përbashkëta në misionet e huaja dhe tregon që kjo pjesëmarrje kthehet në Republikë duke sjellë njohuritë e përfituara nga kryerja e operacioneve komplekse dhe në shkallë botërore”, tha ai.
Më tej, i pyetur nëse Shqipëria do të ishte e gatshme të lejonte përdorimin e bazës së Kuçovë nga SHBA në luftën ndaj Iranit, ministri i Mbrojtjes u shpreh se një vendim i tillë mbetet për t’u vlerësuar në varësi të zhvillimeve.
“Mbetet për tu vlerësuar nëse një kërkesë e tillë do të vijë. Shqipëria ka një marrëdhënie strategjike me SHBA-në. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të vijë zyrtarisht nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe e gjithë vendimarrja që lidhet me këtë pyetje lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”, tha ai.



