TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas intervistës së Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson të paparanueshëm qëndrimin e Kos, e cila shprehet se shoqëria shqiptare e ka pranuar korrupsionin në vend.
“Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar”, shprehet Bardhi.
Ai shton se kryeministri Edi Rama po e mbron korrupsionin në vend, duke mbrojtur në Kuvend ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Më tej, Bardhi i kerkon institucioneve europiane të distancohen nga deklarata të tilla, duke i cilësuar si fyese dhe të papërshtatshme për një shoqëri që, sipas tij, mbetet ndër më proeuropianet në botë.
“REAGIM I DETYRUAR!
I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.
Jo e nderuar znj. Komisionere;
Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.
Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët – kartona në Kuvendin e Shqipërisë. SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.
Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët”, shkruan Bardhi.
Gjatë një forumi të organizuar nga “Politico”, Kos theksoi se edhe pse vendi mund të ketë ligje të mira për të luftuar korrupsionin, problemi qëndron më thellë, tek mentaliteti. Sipas saj, nëse korrupsioni pranohet si diçka normale, atëherë përpjekjet ligjore nuk janë të mjaftueshme./ZËRI




