TIRANË- Deputeti Erald Kapri, është shprehur kundër projektligjit për barazinë gjinore, që pritet të kalojë sot në Kuvend, me vullnetin e mazhorancës socialiste. Teksa ka shpjeguar votën e tij kundër, Kapri është shprehur se shoqëria shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për një projektligj për të mbështetur familjen, dhe jo për të vepruar në bazë axhendash. Sipas Kaprit, projektligji për barazinë gjinore, synon vendosjen e detyrueshme të kuotave të punësimit në kompani, edhe në sektorë ku gratë nuk mund të kenë interes.
“Sot votova kundër projektligjit për barazinë gjinore sepse ndjek një axhendë që nuk i shërben familjes shqiptare. Ky ligj nuk siguron mundësi të barabarta, por imponon kuota artificiale që cenojnë lirinë e tregut dhe meritokracinë. Barazia nuk arrihet me detyrim, por me arsim, konkurrencë dhe shanse të barabarta për të gjithë. Në vend të këtij ligji, qeveria duhet të sillte një paketë për forcimin e familjes dhe mbështetjen e saj”, shkruan Kapri në postimin e tij.
Opozita në tërësi ka votuar dhe është shprehur kundër projektligjit për barazinë gjinore, ndërsa sot parashikohet të mbahet dhe një protestë në ambientet e jashtme të Kuvendit. /ZËRI



