Kosova mbyll procesin e votimit dhe nis atë të numërimit pa humbur kohë, për të 18 komunat që zhvilluan balotazhin e zgjedhjeve lokale, sot më 9 nëntor.
Procesi eci me ritme të shpejta dhe numërimi brenda dy orësh pothuajse kishte përfunduar në pjesën më të madhe.
Sipas rezultateve të publikuara rezulton se LDK fiton 5 komuna, LVV dhe AAK nga 4 komuna dhe PDK 3 komuna.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare. Në të gjitha komunat ka përfunduar plotësisht votimi, ndërkaq në platformën online, sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, do të azhurohen më vonë edhe dy vendvotime për Mitrovicën e Jugut.
“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numëron votat e diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht”, tha ai.
Sa i përket votave nga diaspora, ai tha se pret që nga java e ardhshme ato të arrijnë në Kosovë dhe një javë më pas të përmbyllet numërimi i të gjitha votave.
Në raundin e parë morën pjesë 32.64 për qind e votuesve, ndërkaq në këto komuna në rundin e parë kishin votuar 38.91 për qind.
Në raundin e parë, qytetarët zgjodhën kryetarët në 20 komuna, informon radio Evropa e Lirë.
Ndërkaq, komunat që zhvilluan balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Alban Hyseni fiton në Gjilan
Komunën e Gjilan për katër vjetët e ardhshëm do të vazhdojë ta udhëheqë Alban Hyseni i LVV-së. Pas numërimit të votave të rregullta, ai ka fituar 61.06 për qind të votave.
“Fitorja jonë ishte e pritshme”, tha Hyseni duke shpallur fitoren dhe duke falënderuar teksa votuesit dhe aktivistët.
Në rundin e parë, për një numër të vogël votash ai nuk arriti ta përmbyllte garën pa balotazh.
Garë e ngushtë në Mitrovicë të Jugut
Në Mitrovicë të Jugut, sipas rezultateve të deritanishme, gara është e ngushtë mes Faton Pecit nga LVV dhe Arian Tahirit nga PDK.
Me 31.43 për qind të votave të numëruara, Peci është në epërsi me 54.17 për qind, ndërkaq Tahiri ka fituar 45.83 për qind. Ata kanë një diferencë votash prej 688.
Kreu i PDK, Memli Krasniqi, tha se partia e tij do të presë deri në numërimin e votave të fundit në Mitrovicë të Jugut, ku ka kandiduar me Arian Tahirin.
Sipas rezultateve aktuale, në këtë komunë prin Faton Peci i LVV-së. Krasniqi ndërkaq shpalli fitoren e PDK-së në Prizren, Kaçanik, Vushtrri dhe Klinë.
Totaj pritet të fitojë në Prizren
Shaqir Totaj nga PDK pritet të marrë edhe një mandat në krye të Prizrenit, pasi pas numërimit të 75 për qind të votave, ai ka fituar 54.97 për qind.
Artan Abrashi i LVV-së ka marrë 45.03 për qind.
Rama: Sot është festa e unitetit dhe demokracisë
Përparim Rama nga LDK shpalli fitoren në Prishtinë dhe tha se sot është festa “e qytetit tonë, e shpresës unitet e demokracisë”.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë konferencës për media tha se Rama ka fituar edhe një mandat në Prishtinë, pasi sipas tij ai ka marrë 51.5 për qind të vota.
Kjo parti paralajmëroi një festë në sheshin Skenderbeu më vonë gjatë natës.
Hajrulla Çeku i LVV-së ka fituar 48.85 për qind. Bazuar në rezultatet aktuale, gara në Prishtinë vlerësohet e ngushtë.
AAK-ja e para në Klinë
Zenun Elezaj i AAK-së ka fituar 58.69 për qind të votave në Klinë, nga 64.52 për qind të votave të numëruara.
Sokol Bashota i PDK-së ka fituar 41.31 për qind të votave.
LDK po fiton në Dragash
Sipas numërimit të 78.95 për qind të votave, Bexhet Xheladini i LDK-së ka fituar 57.85 për qind në Dragash.
Shaban Shabani i PDK-së ka fituar 42.15 për qind në këtë komunë.
Gjini shpall fitoren në Gjakovë
Ardian Gjini, kandidat për kryetar të Gjakovës nga AAK ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale.
Sipas numërimit të 52.05 për qind të votave, ai ka fituar 62.32 për qind, ndërkaq kundërkandidati i tij nga LVV, Ardian Gola ka fituar 38.18 për qind.
Në Rahovec kryeson AAK-ja
Me 58.44 për qind të votave të numëruara, Smajl Latifi i AAK-së prin në komunën e Rahovecit me 58.53 për qind të votave.
Ali Dula i LVV-së ka marrë 41.47 për qind.
Pejën e merr Muhaxhiri
Sipas numërimit të 74.29 për qind të votave, Gazmend Muhaxhiri i LDK-së fiton edhe një mandat në Pejë, duke fituar deri më tani 61.4 për qind të votave.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Taulant Kelmendi i LVV-së ka marr 38.60 për qind të votave.
Prebreza i LVV-së kryeson në Fushë-Kosovë
Valon Prebreza i LVV-së ka fituar 53.45 për qind të votave në Fushë Kosovë, bazuar në 54.24 për qind të votave të numëruara.
Besnik Osmani i LDK-së ka 46.55 për qind.
LVV-ja e para në Kaçanik
Me 70.45 për qind të votave të numëruara, Jeton Raka nga LVV është i pari në Kaçanik.
Sabedin Vishi i PDK-së ka 49.59 për qind të votave.
AAK shpall fitoren në Suharekë
Bali Muharremaj nga AAK ka shpallur fitoren në Suharekë.
Ai ka marrë 55.95 për qind të votave, bazuar në numërimin e 96.55 për qind. Ardian Shala i LDK-së ka fituar 44.05.
PDK e para në Vushtrri
Ferit Idrizi i PDK-së po prin në Vushtrri, pasi ka fituar 54.41 për qind të votave.
Bazuar në numërimin e 88.66 për qind të votave, Sylejman Meholli ka 45.59 për qind të votave.
LDK kryeson në Viti
Sokol Haliti i LDK-së ka fituar 51.47 për qind të votave në Viti, sipas numërimit të 84.38 për qind.
Arsim Ademi nga LVV ka 48.53 për qind të votave.
Lista Serbe e fiton Kllokotin
Sipas numërimit të 62.5 për qind të votave, në Kllokot, komunë me shumicë serbe, ka fituar Bozhidar Dejanoviq, nga Lista Serbe, duke marrë afër 90 për qind të votave.
Kundërkandidati i tij Sreqko Spasiq, u tërhoq nga gara ditë më parë dhe tha se do ta mbështesë Listën Serbe.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, e cilësoi si “fitore të madhe dhe historike”, pasi partia e tij ka fituar në këto zgjedhje të dhjetë komunat me shumicë serbe.
Si paraqiten rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë, në dy raundet
Shtrirja e partive politike nëpër 38 komunat e Kosovës është bërë e qartë pas mbajtjes së balotazhit për kryetarë në 18 komuna, më 9 nëntor.
Në rundin e parë të zgjedhjeve, të mbajtur më 12 tetor, kryetarët i kanë zgjedhur 20 komuna.
Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të 9 nëntorit, rezultatet janë kështu:
LDK: Pejë, Dragash, Viti, Junik
AAK: Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec
LVV: Fushë Kosovë dhe Gjilan
PDK: Prizren, Vushtrri
LISTA SERBE: Kllokot
Partia turke KDTP: Mamushë
Garë e ngushtë vazhdon të jetë në Prishtinë, Mitrovicë të Jugut, Obiliq dhe Kaçanik.
Në rezultatet e KQZ-së nuk përfshihen votat me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Në rundin e parë – të 12 tetorit – rezultatet kanë qenë kështu:
LVV: Kamenicë, Podujevë dhe Shtime
PDK: Skënderaj, Ferizaj, Hani i Elezit
LDK: Istog dhe Lipjan
AAK: Deçan
LISTA SERBE: Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.
NISMA: Malishevë
Në Drenas ka fituar iniciativa e Ramiz Lladrovcit.
Dalja në rundin e parë ishte mbi 40 për qind, ndërsa në rundin e dytë mbi 32 për qind.
Të dyja proceset janë zhvilluar pa ndonjë incident të madh.










