Balluku vetëm deputete! Rama tregon hapin e radhës: Do të ndërhyjmë në legjislacion, s’ka urgjencë për kërkesën e arrestimit


Balluku vetëm deputete! Rama tregon hapin e radhës: Do të

Belinda Balluku dhe Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka zbardhur tre konkluzionet nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.  Kësaj mbledhje gjithashtu i është bashkuar dhe Belinda Balluku, e cila tashmë është e pezulluar nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe aktualisht gëzon vetëm statusin e deputetit.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin, Rama ka deklaruar se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion. Nga ana tjetër sa i përket kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit, lidhur me arrestimin Rama shprehet se nuk ka asnjë urgjencë që Këshilli i Mandateve të Mblidhet për t’i hequr imunitetin Ballukut.

REAGIMI I EDI RAMËS:

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.

2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.

3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime: SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.

Në seancën e 6 shkurtit, mbeti në fuqi masa e pezullimit ndaj ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku. Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Pra, ministrat kanë imunitet si deputetët, por nuk i mbron nga pezullimi nga detyra nëse janë nën hetim. 

Ndarja e trupës së gjyqtarëve ishte 4 me 4 nëse duhet të merret ose jo autorizim nga Kuvendi para se të pezullohet me vendim gjykate një anëtare qeverie. Sipas njërit qëndrim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit. Sipas qëndrimit tjetër, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale. 

Pas kësaj mbledhjeje kryeministri Edi Rama do të niset rreth orës 14:00 drejt Brukselit ku do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Kosta. Në fokus të bisedimeve do të jenë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Poll



Source link

Scroll to Top