TIRANË-Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në Kuvend ka preferuar mos komentojë hetimin e SPAK të nisur ndaj saj, por akuzat i ka cilësuar baltë dhe aludime kundër saj. Balluku iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës, ndërsa tha se ky është një sulm personal ndaj saj.
Belinda Balluku: Personalisht e kam shumë të qartë, pse jam në një sulm personal që nuk më ka nisur as sot, as ditën që shkova në SPAK, por ka kohë që më ka nisur. Ju nuk e falni as suksesin politik dhe as njeriun që punon, madje nuk falni as ata që dallojnë brenda radhëve tuaj. Ju përmes sulmeve personale mbuloni dështimin tuaj. Dëgjova këtu një thirrje pak më parë, dikush u ngrit dhe that ë mos therremi me familjarët, kur e vendosët këtë akt etik, na njoftoni dhe ne sepse ju nuk merreni thjesht me familjarët por keni ngritur të vdekurit nga varri dhe i keni sjellë nëpër foltore dhe parlamente.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit më 31 tetor në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkeljen e barazisë në tenderat publikë, në lidhje me procedurën e ndjekur për shpalljen e kompanisë fituese në tunelin e Llogarasë. SPAK njoftoi se ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks. Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend./ZËRI



