TIRANË- Pesë anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë kanë zhvilluar një konferencë për mediat, ku kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi mbledhjen e menjëhershme për çështjen Balluku.
Sipas Bardhit, ky është një rast i paparecent, ku për herë të parë mbyllet mbledhja pa caktuar mbledhje tjetër. Kreu i grupit demokrat deklaroi se kërkesa e Prokurorisë është e argumentuar dhe mbështetur në 80 prova për akuzat nga zv.kryeministres.
“Kërkojmë me forcë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të pranuar kërkesën e Prokurorisë. Bashkëndajmë shqetësimin që prokurorët e SPAK kanë se çdo ditë në liri e në detyrë e Ballukut rrezikon prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Kërkesa e Prokurorisë thekson se ajo është e argumentuar ligjërisht dhe e mbështetur në 80 prova të ndara në disa volume, me mijëra faqe”, tha Gazment Bardhi.
Bardhi zbuloi sipas tij, episodin ku mazhoranca kërkoi të intimidonte edhe prokurorët e SPAK për të mos lejuar marrjen e USB-së me prova, teksa vlerësoi integritetin e tyre pasi në përfundim vendosën për marrjen e dosjes “Balluku”
“Dje morëm dosjen e plotë të sjellë nga Prokuroria. Për 5 herë gjatë mbledhjes u tentua të intimidohen prokurorët që të pohonin në seancë që deputetët nuk mund të merrnin materiale, dua të vlerësoj integritetin e prokurorëve.”, tha Bardhi.
Debatet mes mazhorancës dhe opozitës nuk munguan në mbledhjen e Këshillit, teksa nuk u dakordësuan për datën. Opozita kërkoi që seanca e radhës të mbahet të hënën, ndërsa mazhoranca këroi të mblidhet Këshilli më 19 janar.
Avokati i Ballukut kërkoi 3 javë kohë, për t’u njohur me provat e SPAK. Nga ana tjetër, prokurorët e posaçëm deklaruan në mbledhje se do ishte e mjaftueshme deri në 5 ditë. Me kërkesë të demokratëve, Këshilli vendosi që anëtarët të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI





