TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste po zhvillon mbledhjen e zakonshme javore këtë të hënë, prej orës 10:00. Takimi drejtohet nga kreu i Grupit, Taulant Balla, ndërsa fokusi është ecuria e seancës plenare dhe turi “Punët e Shqipërisë”. Kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm në mbledhje, pasi ndodhet në Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas burimeve, në mbledhje pritet të paraqitet një raport vlerësimi mbi punën e komisioneve parlamentare, si dhe një analizë e seancës plenare të javës së kaluar. Gjithashtu, nuk përjashtohen diskutime të tjera me karakter politik dhe organizativ.
Mësohet se deputetët e PS-së do të paraqesin raport të detajuar të punës së secilit në komisionet parlamentare ndërsa do të kryhet një analizë për seancën e shkuar plenare.
Një pikë tjetër e rendit të ditës lidhet me agjendën e Kuvendit që do të mbahet më 23 prill, ku pritet që të zhvillohen plot 5 interpelanca. Fillimisht me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe më pas me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Interpelanca këto, të mbartura nga java e shkuar dhe të kërkuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Tre interpelancat e tjera përfshijnë atë me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, ministren Evis Sala dhe ministrin Andis Salla.



