Bajerni po shikon për reth në tregun e transferimeve dhe mund të ketë gjetur atë që kërkon në Angli. Kjo, sepse negociatat e kontratës me yllin e mbrojtjes dhe titullarin Dajot Upamekano janë bllokuar bisedimet kanë zgjatur prej muajsh, dhe një marrëveshje e shpejtë për rinovim nuk duket në horizont kështu që drejtuesit e klubit duhet të kërkojnë alternativa për mbrojtjen.
Kontrata e ndërkombëtarit francez skadon pas këtij sezoni. Ndërkohë që Upamekano thuhet se është i lumtur në Mynih, disa klube të mëdha evropiane kanë shprehur tashmë interes. Ndër të interesuarit janë Liverpul, Interi i Milanos, Real Madridi dhe Çelsi. Për më tepër, mbrojtësi francez ka si këshilltar Mousa Sisokon, i cili e njeh shumë mirë tregun. Prandaj, rinovimi i kontratës së Upamekanos është ende larg të qenit i sigurt. Për këtë arsye, Bajerni ka kontaktuar tashmë një tjetër yll!
Zëvendës-shefi i futbollit, Tobi Altshafël, tha në një podkast: “Mund ta raportojmë si lajm të fundit: Bajerni është në bisedime me menaxhmentin e Ibrahima Konate.” Francezi është nën kontratë me Liverpulin që nga viti 2021, duke fituar Kampionatin Anglez (2025) dhe Kupën FA (2022) me “Të Kuqtë”, ndër të tjera. Altshafël shtoi: “Kontrata e tij po skadon, dhe Bajerni mund ta marrë me parametër zero. Kemi dëgjuar që agjenti i Konatë është në bisedime me Real Madridin, PSG-në dhe Bajernin. Ai është një emër shumë i kërkuar në treg, dhe Bajerni është i interesuar.”
Ish-lojtari i Lajpcigut ka tërhequr vëmendjen së fundmi me paraqitje mbresëlënëse. Në fitoren 1-0 të Liverpulit ndaj Real Madridit, Konate ishte i pakalueshëm, duke neutralizuar përpjekjet e Kilian Mbape, Vinicius Xhunior dhe shokëve të tyre. Konate ishte “shkëmb” në mbrojtje! Ish-lojtari i Lajpcigut, tashmë titullar i rregullt për Liverpulin dhe për kombëtaren franceze, konsiderohet sot si një nga qendërmbrojtësit më të mirë në botë.
Kjo nuk i ka shpëtuar vëmendjes së drejtuesve të Bajernit! Bajerni është i vendosur ta mbajë Upamekanon! Qendërmbrojtësi së fundmi dha një paraqitje të shkëlqyer në fitoren 2-1 ndaj PSG-së, duke pastruar çdo rrezik në mbrojtje. Megjithatë, nëse rinovimi i kontratës nuk realizohet, Bajerni tashmë ka një kandidat premtues në rezervë, Ibrahima Konate.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL








