TIRANË- Komisioni Europian ka dërguar një raport pozitiv për Vlerësimin e Pikave të Ndërmjetme (IBAR) për grupkapitullin e parë “Themeloret”, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e objektivave të ndërmjetëm. Komisioni tha për “Report TV” se vendimi përfundimtar është në dorën e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët duhet të japin një qëndrim të përbashkët. Deri më tani, vendet e BE ende nuk kanë komentuar raportin.
“Komisioni i ka paraqitur Këshillit vlerësimin e tij pozitiv mbi përmbushjen e Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve dhe një projekt-Qëndrimi të Përbashkët të BE-së mbi Grupin 1. Tani u takon Shteteve Anëtare të bien dakord për një Qëndrim të Përbashkët të BE-së mbi Grupin 1, i cili do të përcaktojë standardet përfundimtare në fushën e Sundimit të Ligjit”, thuhet në reagimin e KE.
Bëhet me dije se në dy takimet e Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet Negociuese me BE (COELA), më 6 dhe 13 mars, raporti për Shqipërinë është diskutuar nga ambasadorët e vendeve anëtare, të cilët fillimisht do duhet të arrijnë një dakortësi në parim, përpara se ta miratojnë. Një proces që kërkon unanimitet, por nuk ka një afat të paracaktuar brenda të cilit COELA duhet të dalë me një vendim.
“Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje mbi të ashtuquajturin ‘draft pozicion i përbashkët i ndërmjetëm i BE-së për Grupkapitullin e parë”, tha një ditë më parë Këshilli i Bashkimit Evropian.
Vendi ynë hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në BE. Por, pengesa e radhës është miratimi i IBAR-it, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupakpitujve. Por, në krye të vendeve që kanë ngritur pikëpyetje qëndron Gjermania, anën e së cilës kanë mbajtur dhe disa shtete të tjera.
Pas përfundimit të seancës plenare ku parlamenti shqiptar do të duhej të shprehej me votë për kërkesën për arrestimit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ambasada gjermane në Tiranë, doli me një deklaratë që dukej se e lidhte vendimmarrjen me ecurinë e bisedimeve me BE-në. Me të njëjtin qëndrim, u shfaqën më vonë dhe Holanda e Suedia./ZËRI



