Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me arrestimin e Presidentit të Fenerbahçes, Sadettin Saran, pasi autoritetet turke bënë të ditur se në mostrat e marra nga flokët e tij janë gjetur gjurmë kokaine. Për këtë arsye, ai u ndalua dhe u vu në mbajtje nga autoritetet përkatëse.
Sipas mediave turke, testi i flokëve rezultoi pozitiv për kokainë, ndërsa analizat e gjakut, urinës dhe thonjve kanë dalë negative. Më herët Sadettin Saran publikoi një deklaratë ku hodhi poshtë rezultatin e testit fillestar, duke theksuar se nuk ka përdorur kurrë substanca narkotike dhe se do të kërkojë zyrtarisht përsëritjen e analizave.
Presidenti i Fenerbahçes, i cili u thirr për të dëshmuar në kuadër të hetimeve për drogë që po zhvillon Prokuroria e Stambollit, u vu në ndalim pas rezultatit pozitiv të testit të kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ai u shfaq për herë të parë në video pas kthimit të tij në Turqi nga Italia, në momentin kur u shoqërua nga forcat e xhandarmërisë në spital për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të reja mjekësore, të cilat i kishte kërkuar vetë.
Arrestimi i Saran vjen pak kohë pas zbulimit të skandalit të madh të basteve ilegale, i cili ka tronditur futbollin turk, ku dyshohet se janë të përfshirë lojtarë, arbitra dhe drejtues klubesh.
Sadettin Saran, 61 vjeç, i cili ka drejtimin administrativ të Fenerbahçes në të gjitha disiplinat sportive, u arrestua nga njësitë e Komandës së Xhandarmërisë së Stambollit.









