
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar zhvillimet e fundit në Venezuelë, duke e quajtur një lajm të mirë, teksa e lidhi situatën edhe me politikën shqiptare duke kërkuar largimin e “Ramaduros”. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, në daljen e tij të parë publike për vitin 2026, Berisha deklaroi vazhdimin e protestave në vend, duke e cilësuar si rrugën e vetme për të luftuar qeverinë aktuale. Sipas Berishës, arrestimi i Maduros nga SHBA është një ikurajim edhe për opozitën shqiptare, pasi sipas tij “regjimi nuk ikën me votë”.
“Protestat e vazhdueshme do fillojnë pa asnjë diskutim. Ne po ndjekim situatën dhe e themi me bindje se nuk ka rrugë tjetër për të larguar qeverinë, përpos se me protesta të vazhdueshme. Largimi i Maduros është një lajm i mirë edhe për shqiptarët, sepse është inkurajim i opozitës që të largojnë Ramaduron. Siguroj se PD do të bëj analizën brenda partisë dhe se do të fitojmë. Zgjedhjet më 2009 dhe 2013 ishin demokratike, kurse sot jemi në një diktaturë. Regjimi nuk ikën me votë. Kam lexuar lajme se Lea Ypi mund të bëhet kryeministre teknike, por nuk e di sa janë të vërteta”, deklaroi Berisha.
Berisha ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Rama, duke iu rikthyer sërish çështjes së Ballukut. Sipas Berishës, Rama nuk do të pranojë asnjë verdikt, që do të japë drejtësia për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në kushte të tilla, sipas liderit demokrat, protestat janë të rëndësishme./ZËRI



