Trajneri i Brazilit, Karlo Ançeloti, i ka hapur rrugë një kthimi të mundshëm të brazilianit Nejmar në radhët e përfaqësueses që ai drejton, edhe pse nuk e ka parë asnjëherë në veprim futbollistin në radhët e këtij ekipi që kur është ulur në pankinë.

I ngacmuar nga mediat rreth paraqitjeve më të fundit të sulmuesit, trajneri italian ka bërë të qartë se nuk ka mbyllur dyert e ekipit përfaqësues për të dhe nëse ka formën e duhur, mund të jetë një prej emrave në skuadër për Botërorin 2026.
“Nejmar është në listën e lojtarëve që mund të marrin pjesë në Kupën e Botës. Tani kam 6 muaj në dispozicion për të përgatitur listën përfundimtare. Duhet të bëjmë vetëm një gjë, ta vëzhgojmë, ashtu siç bëjmë me të tjerët, që të mundohemi të mos bëjmë gabime në listën përfundimtare.
Për fat të mirë e ka marrë veten nga dëmtimi. Tani ka 6 muaj në dispozicion për të luajtur. E vërteta është që kampionati brazilian përfundon më 7 dhjetor, pastaj janë pushimet. Kur kampionati të rifillojë, do të ketë kohë që të tregojë të gjithë cilësitë dhe gjendjen e tij fizike”, theksoi Ançeloti rreth kësaj teme.
PANORAMASPORT.AL








