Igli Tare pritet të jetë mjaft aktiv në merkaton e janarit për të afruar futbollistë cilësorë në radhët e klubit për ta përforcuar menjëherë, apo duke hedhur hapat për të bërë të mundur afrimin e tyre në verë. Në mediat ndërkombëtare kanë filluar të qarkullojnë emrat e parë të atyre që janë pikëtuar nga kuqezinjtë për dritaret e ardhshme të merkatos.

Prioritet mbetet sigurisht porta, duke llogaritur fundin e kontratës së Majk Menja në mbyllje të sezonit. Tare bëhet e ditur se po monitoron brazilianin Alison Beker, i cili ka një kontratë deri në verën e vitit 2027 me Liverpulin, por pritet që në sezonin e ardhshëm t’i lëshojë vendin si titullar Mamardashvilit.
Ndërkohë, dy emra të rinj interesantë janë Robin Riser i Lens dhe Berke Ozer i Lilës, të cilët po monitorohen prej kohësh dhe shihen si alternativat kryesore nëse klubi zgjedh të investojë në këtë drejtim për portën.
Sa i përket sulmit, nuk dihet ende si do të veprohet me Santi Himenez i cili ka dalë jashtë planeve të Alegrit. Por sido që të vendoset për meksikanin, Tare ka nisur kontaktet prej kohësh me përfaqësuesit e Niklas Fyllkryg. Sulmuesi i Gjermanisë nuk po ia kalon edhe aq mirë te Uest Hem në Premier Ligë dhe është në kërkim të një aventure të re, me Milanin që ia ofron këtë mundësi për të ringjallur karrierën e tij.
PANORAMASPORT.AL








